| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë: Një muaj paraburgim për të punësuarën e OSBE-së, të dyshuar për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, i ka caktuar një muaj paraburgim Jelena Gjukanoviqit për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit.
00:00
Kosovë: Një muaj paraburgim për të punësuarën e OSBE-së, të dyshuar për spiunazh
Kosovë, një muaj paraburgim të dyshuarës për spiunazh / AA
3 Mars 2025

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, i ka caktuar një muaj paraburgim Jelena Gjukanoviqit për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit.

Gjykata njofton se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 2 mars 2025, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës.

"Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse e pandehura lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratiset për t'i ikur përgjegjësisë penale. Gjykata vlerëson se nëse e pandehura lihet në liri, e njëjta mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund ta përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda", thuhet në njoftimin e gjykatës.


Gjykata ka konsideruar se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.

Lidhur me arrestimin e saj ka reaguar edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) - Misioni në Kosovë, ku punon e dyshuara e arrestuar.

OSBE-ja në reagim thotë se janë në dijeni bazuar nga raportimet e mediave dhe se janë në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor.

"Përderisa Misioni nuk mund të komentojë më tej për këtë rast për shkak të hetimeve në vazhdim, ai mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit të duhur", thuhet në reagimin e tyre.

Mediat lokale raportuan se Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt, në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin për spiunazh, e cila u ndalua për 48 orë nga Prokuroria, e cila kishte njoftuar se arrestimi është bërë pas hetimeve disamujore.