Zgjedhjet në Tiranë, Begaj: Respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se KQZ-ja ka ndërprerë çdo përgatitje për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës pas vendimit të Kushtetueses.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi sot se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur nga mediet në lidhje me pezullimin nga Gjykata Kushtetuese të dekretit për zgjedhjet e Tiranës më 9 nëntor, Begaj u shpreh se nuk është penduar për dekretin e nxjerrë.
“Mendimi ynë është që respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Begaj për mediet.
I pyetur nëse është penduar që i dekretoi zgjedhjet pa pritur shqyrtimin në Kushtetuese të ankimimit të Erion Veliajt, Begaj u përgjigj se, “pse duhet të pendohem për një akt që duhet ta nxjerr unë”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhënë një ditë më parë, i cili pezullon zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, erdhi pas ankimimit të bërë nga Erion Veliaj që dekreti të shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi në bashkinë e Tiranës.
Më 31 tetor, gjykata pritet ta shqyrtojë edhe ankimimin për shkarkimin nga detyra të Veliajt si kryebashkiak i Tiranës.
Sot në një konferencë për mediat, Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se KQZ-ja ka ndërprerë çdo përgatitje për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës pas vendimit të Kushtetueses. Sipas tij, edhe nëse gjykata do të shprehet më 31 tetor për shkarkimin e Veliajt, është e pamundur që të bëhen përgatitjet e procesit zgjedhor deri më 9 nëntor.
Këshilli i Ministrave shkarkoi Erion Veliajn nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës me propozim të Këshillit Bashkiak me argumentin për mosparaqitje në detyrë për tre muaj.