Viti 2025 u rendit si viti i tretë më i ngrohtë globalisht që nga fillimi i regjistrimeve, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Kopernikus (C3S) të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), duke nënvizuar një trend të vazhdueshëm të rritjes së temperaturave globale dhe ekstremeve klimatike të vazhdueshme.
Raporti, Pikat Kryesore të Klimës Globale 2025, tregon se viti ishte vetëm pak më i freskët se viti 2023 dhe pasoi vitin 2024, i cili mbetet viti më i ngrohtë i regjistruar dhe i pari që tejkaloi qartë 1.5 gradë Celcius (2.7F) mbi nivelet para-industriale.
Temperatura mesatare globale e sipërfaqes në vitin 2025 ishte 14.97 gradë Celcius (58.9F), që është 0.59 gradë Celcius (1.06F) mbi mesataren e viteve 1991-2020 dhe 1.47gradë Celcius (2.64F) mbi nivelet e vlerësuara para-industriale.
Të dhënat e Copernicus tregojnë se gati 91 për qind e Tokës përjetoi temperatura mbi mesataren gjatë vitit, me pothuajse gjysmën e globit që regjistroi kushte dukshëm më të ngrohta se normalja.
Janari 2025 shënoi janarin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa marsi, prilli dhe maji u renditën secili si i dyti më i ngrohtë për muajt e tyre përkatës.
Temperaturat e sipërfaqes së detit mbetën jashtëzakonisht të larta gjatë gjithë vitit, me mesataren globale që arriti 0,38 gradë Celcius (.684F) mbi nivelin bazë të periudhës 1991-2020 - e treta më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Kjo ndodhi pavarësisht kushteve neutrale të El Niños.
Rajonet polare përjetuan ngrohje të theksuar, me temperaturat e Antarktidës që arritën nivele rekord dhe Arktikun që regjistroi nivelet e dyta më të larta.
Evropa regjistroi vitin e saj të tretë më të ngrohtë, me një temperaturë mesatare prej 10,41 gradë Celcius (50.7F), që është 1,17gradë Celcius (2.106F) mbi mesataren e viteve 1991-2020, ndërsa rajonet perëndimore dhe veriore, duke përfshirë pjesë të Atlantikut të Veriut, Detit të Veriut, Skandinavisë dhe Mesdheut perëndimor, përjetuan temperatura rekord të larta në disa zona.
Në Evropë, kontinentin që po ngrohet më shpejt në botë, të paktën 95 për qind e rajonit përjetoi temperatura mbi mesataren në vitin 2025, ndërsa një valë rekord e nxehtësisë tre-javore i shtyu temperaturat mbi 30 gradë Celcius (86F) pranë dhe brenda Rrethit Arktik në pjesë të Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës, sipas raportit të përbashkët.
Ai gjithashtu theksoi humbjet e përshpejtuara të kriosferës, me mbulesën e borës së Evropës 31 për qind nën mesataren, Islandën që regjistroi humbjen e dytë më të madhe të akullnajave të regjistruara ndonjëherë, dhe Shtresën e Akullit të Grenlandës që humbi 139 gigatonë akull.
Raporti thekson një rritje të vazhdueshme të ekstremeve të lidhura me klimën. Ekstremet klimatike u shtrinë përtej nxehtësisë, me një rekord prej 1 milion hektarësh (2.47 milion akra) të djegur në zjarre në të gjithë Evropën, rreth 70 për qind e lumenjve që treguan rrjedha nën mesataren dhe thatësira që preku më shumë se gjysmën e kontinentit në maj.
Rreth gjysma e globit përjetoi më shumë ditë se mesatarja me kushte të forta stresi nga nxehtësia, të përcaktuara si një temperaturë "e ndjeshme" mbi 32 gradë Celcius (89.6F).
Pavarësisht ekstremeve, raporti vuri në dukje përparimin në tranzicionin e energjisë, duke thënë se burimet e rinovueshme furnizuan një rekord prej 46,4 për qind të energjisë elektrike të Evropës në vitin 2025, me energjinë diellore që arriti një kontribut rekord.
Shkencëtarët gjithashtu vunë re se përqendrimet e gazrave serrë ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten në vitin 2025, duke kontribuar në tendencat e vazhdueshme të ngrohjes.
Hulumtuesit theksojnë se të dhënat pasqyrojnë një zhvendosje të qëndrueshme drejt temperaturave më të larta globale, me secilin nga tre vitet e fundit që renditet ndër më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë.




















