| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Erdoğan: Siguria e furnizimit me energji është çështje e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare
"Türkiye po bëhet dita ditës më e rëndësishme si qendër rajonale e energjisë", tha presidenti Erdoğan.
Erdoğan: Siguria e furnizimit me energji është çështje e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare
Erdoğan: Siguria e furnizimit me energji është çështje e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare

Lufta Rusi-Ukrainë dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit treguan se sigurimi i furnizimit me energji nuk është thjesht çështje zhvillimi, por edhe çështje sovraniteti dhe sigurie kombëtare, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Duke folur në një ngjarje për investimet e energjisë së rinovueshme në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha se Türkiye vuri në përdorim investime me vlerë 5 miliardë dollarë për termocentrale me fuqi 6.818 megavatë.

Türkiye po bëhet dita ditës më e rëndësishme si qendër rajonale e energjisë, tha ai. Me mbylljen "de fakto" të Ngushticës së Hormuzit, portë për vendet e Gjirit në det të hapur, ndodhi ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori, kujtoi Erdoğan.

Ai tha se mbyllja e ngushticës rezultoi në ndërprerjen e afërsisht 25 për qind të furnizimeve globale të naftës dhe 20 për qind të tregtisë së gazit natyror të lëngshëm. Çmimet e naftës, të cilat ishin luhatur rreth 60 dollarë për fuçi, u rritën deri në dyfishin e asaj sasie, rikujtoi presidenti turk.

Sipas tij, bota po përballet me të njëjtat shifra marramendëse jo vetëm në çmimet e LNG-së, por edhe në të gjitha produktet që rrjedhin nga nafta, përfshirë plehrat dhe plastikën.

Duke kujtuar se disa vende kanë zbatuar kufizime të ndryshme, të ngjashme me ato që u panë gjatë pandemisë së COVID-19 për të reduktuar konsumin e energjisë, Erdoğan tha se “Shkollat u mbyllën, u vendosën kufizime për automjetet private që hynin në trafik".

“Ka pasur një numër të konsiderueshëm të anulimeve të fluturimeve. Në pikat e karburantit u krijuan radhë të gjata”, theksoi ai.

Ndërsa çmimet e naftës dhe produkteve me bazë gazi natyror u rritën, inflacioni filloi të rritet në mbarë botën, nënvizoi Erdoğan duke shtuar se ndërsa vetëm pak muaj më parë pritej rimëkëmbje ekonomike globale, me zvarritjen e krizës së Hormuzit, shumë vende tani po përgatiten për një recesion.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë