| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Çmimi i arit bie në nivelin më të ulët që nga shtatori 2025
Argjendi ra me 2,6 për qind në rreth 47,4 dollarë për ons, pasi dollari i fortë dhe rritja e yield-eve të bonove të Thesarit amerikan ushtruan presion mbi metalet e çmuara.
Çmimi i arit bie në nivelin më të ulët që nga shtatori 2025
Çmimi i arit bie në nivelin më të ulët që nga shtatori 2025 / TRT Balkan AL


Çmimi i arit ra sot në nivelin më të ulët që nga shtatori 2025, pasi forcimi i dollarit amerikan dhe rritja e yield-eve të bonove të Thesarit ushtruan presion mbi metalet e çmuara, në kushtet e pritshmërive për rritje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale e ShBA-së (Fed). 

Ari tregtohej me 3.855,06 dollarë për ons, duke shënuar rënie prej 26,69 dollarësh ose 0,69 për qind ndërsa argjendi ra me 1,30 dollarë ose 2,66 për qind në 47,43 dollarë për ons. Rëniet e fundit e çuan humbjen mujore të arit në 6,91 për qind ndërsa argjendi regjistroi rënie prej 16,9 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Pritshmëritë për shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare amerikane ushtruan presion mbi të dy metalet, ndërsa investitorët vlerësuan shqetësimet për inflacionin dhe sinjalet e zyrtarëve të Fed-it. Disa zyrtarë të Fed-it deklaruan se mund të nevojiten rritje të tjera të normave të interesit ndërsa disa prej tyre sugjeruan se në dhjetor mund të shqyrtohet edhe një rritje më e madhe prej 50 pikësh bazë.

Sipas vlerësimeve të tregjeve, probabiliteti për një rritje prej 0,25 pikësh përqindjeje muajin e ardhshëm ishte 92 për qind ndërsa mundësia për një rritje prej 0,50 pikësh përqindjeje ishte 8 për qind. Normat më të larta të interesit rrisin koston oportune të mbajtjes së aktiveve që nuk gjenerojnë interes, si ari dhe argjendi ndërsa forcimi i dollarit i bën këto metale, të kuotuara në dollarë, më të shtrenjta për blerësit që përdorin valuta të tjera.

Investitorët po prisnin deklaratat e kryetarit të Fed-it, Kevin Warsh, më vonë të hënën, për të marrë sinjale të mëtejshme mbi drejtimin e politikës monetare të Bankës Qendrore si dhe publikimin e procesverbalit të mbledhjes së tetorit, të planifikuar për të mërkurën.

Argjendi, i cili ra në nivelin më të ulët në rreth një vit, u përball me presion për shkak të pritshmërive për dobësim të kërkesës, të lidhura me rënien e konsumit në sektorët e bizhuterive dhe të paneleve diellore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë