Këshilli i Evropës shpreh shqetësim ndaj ligjit izraelit për dënimin me vdekje për palestinezët

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset ka shprehur shqetësimin e tij të thellë pas miratimit të ligjit nga Parlamenti izraelit që zgjeron përdorimin e dënimit me vdekje në Izrael.

By
Këshilli i Evropës shpreh shqetësim ndaj ligjit izraelit për dënimin me vdekje për palestinezët / AA

Këshilli i Evropës shprehu shqetësim të hënën në lidhje me legjislacionin izraelit që vendos dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë.

"Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset ka shprehur shqetësimin e tij të thellë pas miratimit, më 30 mars 2026, nga Parlamenti izraelit (Knesseti), të një ligji që zgjeron përdorimin e dënimit me vdekje në Izrael", thuhet në një deklaratë me shkrim.

Ai kujton se miratimi i ligjit vjen "pavarësisht thirrjeve të përsëritura drejtuar autoriteteve izraelite, veçanërisht nga Këshilli i Evropës, për të hequr dorë prej tij".

"Hyrja në fuqi e këtij ligji do të shënojë një distancim të mëtejshëm të Izraelit nga korniza e vlerave me të cilat ka zgjedhur historikisht të shoqërohet", vëren deklarata. Ai e përshkroi më tej vendimin si një "regres serioz".

"Dënimi me vdekje është një anakronizëm ligjor i papajtueshëm me standardet bashkëkohore të të drejtave të njeriut. Për më tepër, çdo zbatim i dënimit me vdekje që mund të karakterizohet si diskriminues është i papranueshëm në një shtet të qeverisur nga sundimi i ligjit", nënvizoi më tej Këshilli i Evropës.

"Dënimi me vdekje është i papajtueshëm me të drejtat themelore dhe me respektin për dinjitetin njerëzor", theksoi deklarata duke përsëritur kundërshtimin e Këshillit "në të gjitha vendet dhe në të gjitha rrethanat".

"Këshilli i Evropës do të monitorojë nga afër zhvillimet e ardhshme në lidhje me këtë ligj. Do të shqyrtojë implikimet e tij për konventat e Këshillit të Evropës në të cilat Izraeli është palë si dhe për mekanizmat e bashkëpunimit në të cilët merr pjesë ky shtet", shtoi ai.

Më herët të hënën, Parlamenti i Izraelit miratoi ligjin, duke e bërë dënimin me vdekje dënimin e paracaktuar për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar të dënuar për kryerjen e sulmeve vdekjeprurëse kundër izraelitëve.

Më shumë se 9.300 palestinezë, përfshirë 350 fëmijë dhe 66 gra, janë aktualisht të burgosur në burgjet izraelite, tregojnë të dhënat nga organizatat e të drejtave të të burgosurve dhe Shërbimi Izraelit i Burgjeve.

Sipas organizatave palestineze dhe izraelite të të drejtave të njeriut, ata vuajnë nga tortura, uria dhe neglizhenca mjekësore, të cilat kanë çuar në vdekjen e dhjetëra njerëzve.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka përshkallëzuar masat e tij kundër të burgosurve palestinezë, që përkon me luftën e tij gjenocidale në Rripin e Gazës me mbështetjen e ShBA-së, e cila solli vrasjen e më shumë se 72 mijë palestinezëve dhe plagosjen e 172 mijë të tjerëve.