Liderët e Libanit, Jordanisë dhe Francës diskutuan të enjten mënyrat për forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ushtrisë libaneze dhe Forcave të Sigurisë së Brendshme, në një kohë tensionesh të vazhdueshme rajonale, sipas Presidencës libaneze.
Bisedimet mes presidentit të Libanit, Joseph Aoun, mbretit të Jordanisë, Abdullah II, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, u zhvilluan në Les Invalides në Paris, përpara një sesioni përgatitor për një konferencë ndërkombëtare në mbështetje të ushtrisë dhe forcave të sigurisë së Libanit.
Ata diskutuan mënyrat për thellimin e koordinimit dhe bashkëpunimit mes tri vendeve në fusha me interes të përbashkët.
Gjithashtu, ata shqyrtuan rëndësinë e organizimit nga Franca të një raundi të ri të takimeve të Procesit të Akabas, të përqendruar në mbështetjen e ushtrisë libaneze dhe forcimin e aftësive të saj për t'i përmbushur detyrat në mbrojtjen e sigurisë së vendit, së bashku me Forcat e Sigurisë së Brendshme.
Mbreti Abdullah nisi Procesin e Akabas në vitin 2015 për ta forcuar koordinimin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës mes partnerëve rajonalë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Takimi trajtoi gjithashtu përshkallëzimin rajonal, ndërsa tre liderët theksuan nevojën për intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare drejt një uljeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të tensioneve për të rikthyer stabilitetin në rajon.
Sipas deklaratës, ata diskutuan gjithashtu zhvillimet në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor të pushtuar.
Bregu Perëndimor i pushtuar ka dëshmuar një përshkallëzim të sulmeve nga forcat izraelite dhe kolonët, ndërsa Izraeli ka vazhduar ta shkelë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, të arritur tetorin e kaluar nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Aoun theksoi se siguria në rajon është e ndërlidhur dhe inkurajoi zhvillimin e një strategjie rajonale të sigurisë, të bazuar në projekte të përbashkëta energjetike dhe në bashkëpunimin ekonomik, të sigurisë dhe politik.
Izraeli ka kryer sulme ndaj Libanit që nga 2 marsi, duke vrarë të paktën 4.381 persona, plagosur 12.402 të tjerë dhe zhvendosur më shumë se një milion njerëz, sipas autoriteteve libaneze.
Sulmet kanë vazhduar pavarësisht marrëveshjes kornizë të 26 qershorit mes Libanit dhe Izraelit, të arritur nën ndërmjetësimin e ShBA-së, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori i pushtuar libanez në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, përfshirë Hezbollahun.
Izraeli mban të pushtuara zona në jug të Libanit, disa prej dekadash dhe të tjera të marra gjatë luftës së viteve 2023-2024, ndërsa forcat e tij avancuan më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez gjatë inkursionit të fundit.


























