Përvjetori i tragjedisë në Koçan, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbajti seancë përkujtimore
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, iu drejtua të pranishmëve, përfshirë familjarë të viktimave, duke theksuar se 16 marsi i vitit të kaluar shënoi një mëngjes të zymtë pas një nate tragjike që mori jetën e 63 të rinjve.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbajti seancë përkujtimore për përvjetorin e tragjedisë së zjarrit në Koçan, i cili shkaktoi dhjetëra viktima.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, iu drejtua të pranishmëve, përfshirë familjarë të viktimave, duke theksuar se 16 marsi i vitit të kaluar shënoi një mëngjes të zymtë pas një nate tragjike që mori jetën e 63 të rinjve, duke lënë plagë të thella në zemrën e vendit.
Ai theksoi rëndësinë e reflektimit dhe solidaritetit, duke thënë se seanca përkujtimore nuk ka të bëjë me formalitet institucional, por është përkulje e përbashkët e shtetit para jetëve të humbura dhe familjeve që përballojnë dhimbjen.
“Sot, pas një viti, jemi mbledhur në këtë sallë për të kujtuar, për të reflektuar dhe për t’i nderuar me respekt emrat që u shuan. Jemi mbledhur si rrallëherë, jo si pozitë e opozitë, jo si përfaqësues të partive apo institucioneve, por si një shoqëri që u lëndua rëndë. Jemi këtu si njerëz që e bashkëndjejnë dhimbjen e këtyre familjarëve, për t’u dhënë mesazh se në këtë dhimbje nuk janë vetëm”, tha Gashi.
Kryetari i Kuvendit bëri thirrje që institucionet kompetente – Prokuroria Publike, gjykatat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet hetimore – të punojnë me profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë për drejtësi dhe qetësi për familjet.
Ai nënvizoi solidaritetin e qytetarëve, ndihmën e mjekëve, zjarrfikësve, policëve, Kryqit të Kuq dhe shteteve mike, duke falënderuar për përkushtimin dhe dhembshurinë e treguar.
Në përfundim, Gashi theksoi se kujtimi i viktimave duhet të jetojë në secilin dhe se kjo tragjedi duhet të shërbejë si udhërrëfyes për një shtet të drejtë dhe me sundim të ligjit.
“Qoftë Koçani tragjedia e fundit e vendit tonë, por edhe udhërrëfyesi ynë për një shtet të drejtë e me sundim të ligjit”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.