Kurti pret Ramën në Prishtinë, në fokus marrëveshjet bilaterale dhe mundësitë për zgjerim
“Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit”, informoi zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur me një ceremoni zyrtare në Prishtinë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili qëndron për vizitë në vend.
Ceremonia e pritjes u zhvillua në godinën e qeverisë në Prishtinë me nderime shtetërore, pas së cilës dy krerët e shtetit zhvilluan një takim dypalësh.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit”, informoi zyra e shtypit e kreut të qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu vullnetin e qeverisë së tij për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit.
Kryeministri Rama po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa më herët gjatë ditës është pritur në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Gjatë kësaj vizite, siç është paralajmëruar, po diskutohen çështjet e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe zhvillime të tjera me interes të përbashkët.