Në Kosovë u organizua turneu i qitjes me hark "Kupa e Republikës - 29 Tetori"
Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, theksoi se turneun e organizuan me qëllim të nxitjes së nxënësve drejt sportit.
Përfaqësia e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Kosovë organizoi turneun e qitjes me hark "Kupa e Republikës - 29 Tetori".
Sipas njoftimit me shkrim të bërë nga Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë, aktiviteti i organizuar nën kujdesin e Përfaqësisë së TMV-së në Kosovë dhe në bashkëpunim me Klubin e Qitjes me Hark të Prizrenit, u mbajt në kampusin e shkollës në qytetin e Prizrenit.
Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, theksoi se turneun e organizuan me qëllim të nxitjes së nxënësve drejt sportit.
"Këtë aktivitet e realizuam për t'u dhënë nxënësve disiplinë, durim dhe aftësi të fokusimit", theksoi Aslan.
Në turneun e zhvilluar në kategoritë e moshave 10-13 dhe 14-17 vjeç, me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkolla të ndryshme të Prizrenit, fituesve u ndanë kupa dhe medalje.
Turneu përfundoi me një ndeshje miqësore të organizuar mes prindërve dhe mësuesve.
Synimi është që turneu, i cili ka për qëllim të sjellë gëzim, të forcojë unitetin dhe frymën sportive, si dhe të shndërrohet në një aktivitet tradicional.
Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë, të cilat nisën veprimtarinë arsimore në vitin 2017, aktualisht kanë rreth 760 nxënës në degët e tyre në Prishtinë dhe Prizren.