| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kurti pas rikthimit në punë të Kuvendit: Vullneti i popullit nuk shpërndahet me dekrete
"Rruga përpara e deputetëve nuk duhen të jenë pengesat apo inatet, por miratimi i marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve", tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti pas rikthimit në punë të Kuvendit: Vullneti i popullit nuk shpërndahet me dekrete
Kurti pas rikthimit në punë të Kuvendit: Vullneti i popullit nuk shpërndahet me dekrete / AA
3 orë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli si pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ka thënë se vullneti i popullit nuk mund të ndalet me dekrete.

Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese e qartësoi përgjegjësinë e secilit institucion dhe kufijtë deri ku mund të veprojnë.

Sipas Kurtit, rruga përpara e deputetëve nuk duhen të jenë pengesat apo inatet, por miratimi i marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve, derisa bëri thirrje që opozita t’i mbështesë projektligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat tha se janë në dobi të qytetarëve.

"Gjykata Kushtetuese ka folur për natyrën e Republikës sonë demokratike e parlamentare dhe për kufijtë që Kushtetuta i vendos çdo institucioni. Në këtë rend, shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për t’i tejkaluar vështirësitë politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar e dëshmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese tani që presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit as nën presion të afateve e të paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete, rrjedhimisht as nuk shpërndahet", tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se demokracia nuk avancon kur institucionet bllokojnë funksionet e njëra-tjetrës, por duke respektuar çdo pushtet brenda kufijve kushtetues dhe rruga përpara nuk duhet të jenë pengesat apo inatet, por miratimi i ligjeve dhe marrëveshjeve që e përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Në kuadër të këtyre vendimeve që pritet t’i kenë përpara deputetët, Kurti përmendi edhe projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan, si rrjedhojë e ankesave të qytetarëve me çmimet e larta të produkteve esenciale.

"Duhet ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, jo si një debat ideologjik, por si një përgjigje konkrete ndaj një realiteti që çdo familje e ndien çdo ditë. Bota po kalon nga kriza në krizë. Një luftë që ka nisur nuk përfundon, fillon një tjetër që as mendonim se do të nisë", tha Kurti.

Ai thekson se sikur në secilën krizë, dikush zgjedh të përfitojë dhe ka tregtarë, biznese të mëdha, që e kanë keqpërdorur krizën për të rritur artificialisht çmimet. Kurti shtoi se shteti duhet të ndërhyjë me maturi por edhe vendosmëri për të mos lejuar që tregu të bëhet hapësirë ku më i forti vendosë mbi më të dobëtin.

Kurti pas fjalës së tij u kritikua nga opozita për mashtrim me qytetarët. Sipas përfaqësuesve të opozitës, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për rritjen e çmimeve dhe ngarkesën e xhepit të qytetarëve.

Kjo është seanca e parë e Kuvendit pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet të cilit u shpall si pa efekt juridik dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Me këtë aktgjykim të publikuar më 25 mars 2026, Kuvendit i është dhënë afat 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, që i bie më së largu deri më 28 prill 2026. Nëse dështon zgjedhja e kreut të shtetit, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme mbahen brenda 45 ditësh.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë