Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta vazhdojë ngritjen e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje, duke premtuar një valë të madhe “imigrimi” drejt këtij territori.
Netanyahu, i cili përballet me një garë të ngushtë zgjedhore në tetor, drejton një nga qeveritë më të djathta në historinë e Izraelit, e cila ka miratuar me shpejtësi ndërtimin dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Fermat, të përbëra shpesh vetëm nga disa shtëpi të lëvizshme ose struktura të improvizuara, janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit, por miratimi dhe legalizimi i tyre janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Nuk mund t’i shpërfillim shifrat: 104 vendbanime që i ngritëm dhe i legalizuam së bashku, si dhe 160 ferma, dhe do të ketë edhe më shumë”, deklaroi Netanyahu në një aktivitet për kolonët e paligjshëm të martën në mbrëmje, sipas një njoftimi të zyrës së tij.
“Ju po përmbushni vizionin e Tokës së Izraelit dhe kjo është toka jonë”, u tha ai të pranishmëve.
Netanyahu tha gjithashtu se kolonët e paligjshëm po “përgatisnin terrenin për një valë shumë të madhe imigrimi që do të vijë”, duke vlerësuar atë që e quajti “një përpjekje të jashtëzakonshme të qeverisë për ta përmbushur vizionin e brezave”.
Zgjerimi i vendbanimeve përballet me kritika
Izraeli është përballur me kritika në rritje nga komuniteti ndërkombëtar për zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa është shtuar edhe dhuna e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve.
Javën e kaluar, disa udhëheqës evropianë dënuan një projekt të madh vendbanimesh, pasi autoritetet izraelite hapën tenderin për ndërtimin e më shumë se 1.200 banesave në këtë zonë.
Plani E1, i miratuar nga Izraeli vitin e kaluar, kërcënon vazhdimësinë territoriale ndërmjet pjesëve veriore dhe jugore të Bregut Perëndimor, duke minuar më tej perspektivën për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Izraeli e mban të pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967, ku tashmë jetojnë më shumë se 500.000 kolonë të paligjshëm izraelitë, krahas rreth tre milionë palestinezëve.
Qeveria e Netanyahut përfshin ministra që mbështesin hapur aneksimin e territorit dhe po çon përpara ndërtime të tjera në prag të zgjedhjeve të 27 tetorit.
Dhuna e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve është rritur ndjeshëm që kur Izraeli nisi luftën e tij gjenocidale në Gaza.





















