Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama tha se procesi i anëtarsimit të vendit ndodhet në një moment vendimtar që kërkon angazhim shumë të madh.
Rama tha se, “misioni ynë për ta çuar Shqipërinë në tryezën e përbashkët të Europës është në fazën finale dhe kjo është një fazë e vështirë që kërkon angazhim shumë të madh”.
Ai theksoi rolin e fermerëve në këtë proces.
“Punët e Shqipërisë po shkojnë në drejtimin e duhur dhe po fillojnë të japin gjithmonë e më shumë rezultate. Kjo është një fazë që kërkon një kuptim shumë të drejtë se çfarë na pret dhe për këtë arsye është e rëndësishme ajo që po ndodh me bujqësinë, ajo që po ndodh me fermerët, sepse janë ata të cilët do të jenë në “derën” e Europës ose të bekuar, ose të mallkuar, sipas nivelit të tyre të përgatitjes për atë ditë. Nuk mund të ketë një vend të Bashkimit Europian, siç do të jemi ne, në një kohë që tanimë nuk është një horizont, por është një afat i prekshëm me sy, dhe të mos ketë siguri ushqimore, dhe të ketë produkte të cilat janë pa standardet më të larta të sigurisë. Po kjo kërkon angazhim dhe impenjim shumë të madh nga të gjithë dhe nga ana tjetër, kështu është për të gjithë sektorët, kështu është edhe për të gjithë shtetin shqiptar”, tha Rama.
Ai shtoi se ky proces kërkon përfshirje të gjerë institucionale. “Kjo kërkon angazhim shumë të madh nga të gjithë dhe nga i gjithë shteti shqiptar”, deklaroi Rama.





















