Nga 15 marsi, në Kosovë nis zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe për Automjetet

Ligji për të Huajt parasheh që të gjithë ata qytetarë që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

By
Nga 15 marsi, në Kosovë nis zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe për Automjetet / AA

Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet do të hyjë në fuqi nga 15 marsi në Kosovë, në bashkërendim me direktivat e Bashkimit Evropian (BE).

Për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën në mëngjes ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen si dhe Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Avio Orav, në Qeveri, ku më pas mbajtën një konferencë për media.

Kryeministri Kurti tha se duke filluar nga 15 janari i këtij viti, Kosova ka nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre dy ligjeve, fazë e cila ishte e orientuar më shumë në informim për qytetarët për obligimet e tyre për këto dy ligje dhe fazë për përgatitjet e duhura për zbatim efektiv të mëtutjeshëm.

“Jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve dhe besoj fuqishëm që më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve u drejtohet ky ligj, pra, të huajt që falë rregullave të përcaktuara me ligj do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimit të tyre”, tha Kurti.

Kurti tha se nga ky ligj do të preken edhe një pjesë e qytetarëve që vijnë nga Lugina e Preshevës dhe qytete tjera të Serbisë ku një pjesë nga ta janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal/paralel të financuar nga Serbia në Kosovë.

Kryeministri kosovar tha se qëllimi final i inkorporimit nga këto ligje nuk është zvogëlim i cilësdo së drejtë njerëzore, por, fuqizim i tyre. Sipas tij, procesi i legalizimit merr kohë dhe do të bëhet në koordinim të ngushtë me Emisarin Sorensen dhe me serbët lokalë.

“Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët e komunitetit serb, të besojnë nga përfitimet nga procesi dhe detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e arritura në Dialogun e Brukselit dhe Korniza Ligjore e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kurti shtoi se Qeveria do të pajiset nga krerët komunalë me lista të stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve, lista të cilat do të shërbejnë për bazë për dhënien e lejeve të përkohshme për të huajt që aplikojnë tek Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. E njëjta do të vlejë edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë për qëllime studimore.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se është përgjegjësi që zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete të realizohet gradualisht.

Sorensen tha se kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të hapë një mundësi të re tremujore për të mundësuar që qytetarët e nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më datën 15 mars 2026 janë regjisturar nga strukturat ilegale.

Sipas marrëveshjes së BE-së me Kosovën, në këtë periudhë aplikantëve do t'u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale në Kosovë.

“Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët përkatës për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, në mënyrë që të parandalohet çdo ndërprerje e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar që shërbimet të mos ndërpriten, ne i kërkojmë Kosovës ta lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara zakonisht në 15 muajt e fundit nga Serbia për personat që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, tha Sorensen.

Sorensen tha se çdo proces që prek këto institucione do të kërkojë kohë dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të konfirmohet brenda kornizës së të gjitha marrëveshjeve relevante të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ligji për të Huajt parasheh që të gjithë ata qytetarë që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të ndryshme, nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet serbe dhe partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe. Sipas tyre, zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.