Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, udhëhoqi delegacionin qeveritar që mori pjesë në sesionin e dytë të Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili u hap së bashku me Brendan Hanrahan, përfaqësues i lartë i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit të ShBA-së.
Siç thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë evropian që realizon një sesion të Dialogut Strategjik në Uashington gjatë mandatit të kësaj administrate amerikane.
Ministria tha se Dialogu Strategjik në Uashington përfaqëson një platformë të rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe konfirmon aleancën afatgjatë dhe partneritetin e fortë strategjik mes dy vendeve.
Me këtë sesion të ri, thuhet më tej, dy vendet synojnë të japin një impuls të ri për thellimin e partneritetit përmes përcaktimit të një udhërrëfyesi të qartë për bashkëpunimin në periudhën e ardhshme, bazuar në parimet e përfitimit të ndërsjellë dhe vizionit afatgjatë.
Bisedimet mes delegacioneve është fokusuar në fusha kyç si mbrojtja dhe siguria, energjetika, bashkëpunimi ekonomik, tregtia dhe investimet, kultura, si dhe çështje me rëndësi rajonale dhe globale.
Gjatë vizitës në Uashington, ministri Mucunski ka zhvilluar një takim bilateral me zëvendëssekretarin e Shtetit të ShBA-së, Christopher Landau, ku është riafirmuar angazhimi i përbashkët për partneritet të qëndrueshëm të bazuar në siguri, liri dhe prosperitet demokratik.
Palët theksuan se prioritet në periudhën e ardhshme do të jetë zbatimi konkret i partneritetit strategjik, duke identifikuar forma të zgjeruara bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve.
Në takim është diskutuar edhe bashkëpunimi brenda NATO-s, forcimi i bashkëpunimit ekonomik pas harmonizimit të kornizës për tregti reciproke në shkurt 2026, siguria energjetike dhe nevoja për diversifikimin e burimeve të energjisë, si dhe situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesi i integrimit evropian.























