Marina e Gardës Revolucionare të Iranit njoftoi herët të dielën se Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet deri në një njoftim të dytë, pasi bëri të ditur se një anije, e akuzuar për shpërfillje të urdhrave të lundrimit, u godit nga zjarri dhe u ndalua.
Forca tha se disa anije u përpoqën të përdornin një rrugë të paautorizuar përmes ngushticës, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura për të ndryshuar kursin dhe për të ndjekur një korridor të miratuar.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, thuhet se një anije fiku sistemet e saj, duke rrezikuar sigurinë detare, dhe u godit me zjarr paralajmërues përpara se të ndalohej.
Marina e Gardës Revolucionare tha se kjo rrugë strategjike ujore do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë dhe derisa të marrin fund ndërhyrjet amerikane në rajon, duke shtuar se asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë.
Ajo paralajmëroi se çdo sulm i ri kundër Iranit do të përballet me një përgjigje të fuqishme dhe me sulme ndaj bazave të tjera “armike” në rajon.
Forca fajësoi “ndërhyrjen e paligjshme të huaj” për incidentin dhe mbajti përgjegjëse ShBA-në, Izraelin dhe vendet që strehojnë baza amerikane për pasojat e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Irani thirrje ShBA-së, të respektohet Memorandumi i Mirëkuptimit
Ushtria iraniane i bëri thirrje herët të dielën ShBA-së të respektojë kushtet e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes Teheranit dhe Uashingtonit më 16 qershor, në mes të përshkallëzimit të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur për transmetuesin shtetëror iranian IRIB, zëdhënësi i ushtrisë iraniane, gjeneral brigade Mohammad Akraminia, tha se ndërhyrja e ShBA-së për të krijuar atë që ai e cilësoi si “rrugë të paligjshme” përmes kësaj rruge strategjike ujore ka krijuar pasiguri në zonë.
Ai tha se forcat e armatosura të Iranit do t’i mbrojnë “me vendosmëri” të drejtat e popullit iranian në Ngushticën e Hormuzit.
Akraminia tha gjithashtu se ushtria iraniane po përditëson vazhdimisht “bankën e objektivave”.
Deklaratat e tij erdhën pasi Irani kreu sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave dhe objekteve ushtarake amerikane në disa shtete të Gjirit, ndërsa SHBA-ja zhvilloi një raund të tretë sulmesh, duke shënjestruar radarë, raketa dhe objekte dronësh në të gjithë jugun e Iranit.
Sulmet amerikane erdhën pasi Irani hapi zjarr ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe njoftoi mbylljen e kësaj rruge strategjike ujore deri në një njoftim të dytë, ndërsa një marinar rezulton i zhdukur, sipas CENTCOM-it.
Në qershor, Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan një memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synim përfundimin e luftës që nisi në fund të shkurtit dhe hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Memorandumi parashikonte ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në të gjitha frontet, heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Pavarësisht marrëveshjes, të dyja palët shkëmbyen sulme këtë javë lidhur me kalimin e trafikut tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit. ShBA-ja goditi objektiva në Iran, ndërsa Irani u kundërpërgjigj duke shënjestruar asetet amerikane në të gjithë rajonin.























