Administrata e Donald Trumpit miratoi të premten një shitje të mundshme armësh për Izraelin në vlerë prej 151,8 milionë dollarësh, duke përdorur autoritetin “emergjent” për ta anashkaluar kërkesën për shqyrtim nga Kongresi, ndërsa Uashingtoni dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ndaj Iranit.
Sipas një deklarate nga Byroja për Çështje Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit, shitja e propozuar përfshin 12 mijë trupa bombash të tipit BLU-110A/B me përdorim të përgjithshëm, me peshë prej 1.000 paundësh, si dhe shërbime mbështetëse inxhinierike, logjistike dhe teknike.
“Sekretari i Shtetit ka përcaktuar dhe ka paraqitur arsyetim të detajuar se ekziston një emergjencë që kërkon shitjen e menjëhershme për Qeverinë e Izraelit,” tha agjencia, duke hequr kërkesën për shqyrtim nga Kongresi sipas nenit 36(b) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Miratimi vjen në mes të rritjes së tensioneve rajonale pas sulmeve ajrore të përbashkëta ShBA-Izrael ndaj Iranit, të nisura më 28 shkurt, të cilat kanë shkaktuar më shumë se 1.000 viktima, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Konflikti ka shkaktuar paqëndrueshmëri të gjerë në rajon dhe sulme hakmarrëse nga Teherani ndaj objektivave të lidhura me ShBA-në në gjithë rajonin. Një sulm me dron në Kuvajt vrau gjashtë ushtarë amerikanë në një qendër taktike operacionesh.
Ky veprim vjen gjithashtu në një kohë kur kritikat në Kongres për transferimin e armëve amerikane drejt Izraelit janë rritur gjatë luftës së Izraelit në Rripin e Gazës. Në korrik, një numër rekord prej 27 senatorësh demokratë votuan në favor të një rezolute për të bllokuar disa shitje armësh për Izraelin, duke përmendur shqetësime për viktimat civile dhe krizën humanitare në Gaza, megjithëse masa në fund dështoi.















