Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar zgjatjen e gjendjes së krizës në territorin e vendit deri më 20 korrik të vitit 2026, për shkak “të rreziqeve të vazhdueshme në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës”.
Vendimi i miratuar në një seancë plenare dhe i mbështetur më parë edhe nga Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, do të hyjë në fuqi më 21 prill 2026, pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”.
Sipas arsyetimit të paraqitur para deputetëve, zgjatja e gjendjes së krizës është pasojë e situatës së pafavorshme ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe energjisë, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve serioze në transportin e naftës së papërpunuar, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Vlerësimet e institucioneve kompetente tregojnë se pas sulmeve në fund të shkurtit dhe bllokimit të mëvonshëm të rrugëve detare, rrjedha e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është ulur ndjeshëm, duke rritur rrezikun për mungesë globale dhe rritje të çmimeve, me pasoja të drejtpërdrejta edhe për tregun vendas.
Qeveria ka ndërmarrë tashmë një sërë masash për të zbutur efektet e krizës, përfshirë uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar për burimet e energjisë dhe uljen e akcizave për karburantet, me qëllim mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm.
Me këtë vendim, Kuvendi i dha autorizim Qeverisë dhe institucioneve përkatëse që të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim me menaxhimin e koordinuar të situatës dhe zbatimin e masave për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji.






















