Kryetari i partisë Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, njëherësh ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është partneri i parë me të cilin synon të bisedojë për formimin e institucioneve të reja, por ka kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm te zgjedhja e qeverisë, por të përfshijë edhe një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Rashiq për mediat lokale në Kosovë tha se rezultatet zgjedhore duhet të respektohen, ndërsa theksoi se pas katër palë zgjedhjeve është koha që partitë politike shqiptare të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund krizave institucionale.
“Normale që Lëvizja Vetëvendosje është adresa e parë. Jo vetëm për shkak të eksperiencës që kemi pasur tri-katër vitet e fundit, por për shkak se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 53 ulëse në Kuvend nga 100 që janë dedikuar për shqiptarët. Prandaj një shumicë të deputetëve shqiptarë, dhe në atë aspekt duhet respektuar këtë fakt dhe normale që adresa e parë është në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi Rashiq.
Rashiq tha se bashkëpunimi me Vetëvendosjen duhet të jetë proaktiv dhe të përfshijë edhe propozimet e partive të komuniteteve.
Ai u shpreh se do t’i kërkojë Vetëvendosjes të ndërmarrë iniciativa për të arritur konsensus me partitë shqiptare, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit.
“Unë së pari do të kërkoj prej kryeministrit në këtë radhë, ose Vetëvendosjes, që ta përdorin çdo formë të iniciativave të cilat mund të na sjellin deri në një bashkëpunim, në veçanti me partitë shqiptare sa i përket përzgjedhjes së presidentit, sepse konsideroj që kjo është çelësi, të them ashtu, ose një pikë potencialisht e dobët në krejt këtë procesin që e kemi tash pas zgjedhjeve. Dhe unë vetë do të kërkoj prej palëve që ta bëjmë një planifikim gjithëpërfshirës. Të mos jetë vetëm fazë pas faze, ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera”, tha ai.
Sipas Rashiqit, partitë politike duhet të shmangin një tjetër vit të humbur për shkak të krizës politike.
“Unë shumë mbështetem në konstatimet strategjike që i bën Bashkimi Evropian. Pasi që konstatojmë që BE-ja është një cak i pashmangshëm, i vetmi cak që duhet ta kemi të gjithë ne politikanët dhe të gjitha sistemet në Ballkan, atëherë fjalët e tyre, kur thanë që viti 2025 ka qenë vit i humbur, mua personalisht më kanë prekur, sepse nuk po dëshiroj që ne si institucione të kemi vite të humbura për shkak të krizave politike. Prandaj, ta shmangim konstatimin e radhës që edhe viti 2026 të konsiderohet vit i humbur”, tha ai.
Partia e Rashiqit ka marrë një deputet nga dhjetë që i takojnë komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës. Nëntë të tjera i ka fituar Lista Serbe, e cila pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) se Rashiqi ka marrë vota edhe nga shqiptarët.
Ndërkohë, në PZAP kanë përfunduar edhe dy ankesa të kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu, të cilët po kërkojnë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të tyre.
Nëse këto ankesa sërish hidhen poshtë, hapet rruga për certifikimin e rezultateve e më pas formimin e institucioneve.



























