| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Franca dhe Palestina do të krijojnë komitet për forcimin e shtetit palestinez
Macron paralajmëron Izraelin se çdo formë aneksimi në Bregun Perëndimor është “vijë e kuqe” dhe premton përgjigje të fortë në bashkëpunim me partnerët evropianë.
Franca dhe Palestina do të krijojnë komitet për forcimin e shtetit palestinez
Franca dhe Palestina do të krijojnë komitet për forcimin e shtetit palestinez / AP
11 Nëntor 2025

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të martën se Franca dhe Palestina do të krijojnë një komitet të përbashkët që do të merret me çështje ligjore, kushtetuese dhe institucionale për të forcuar shtetin palestinez.

“Ky komitet do të kontribuojë në hartimin e një kushtetute të re, bazuar në projektin e paraqitur nga presidenti Abbas, dhe do të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për një shtet të qëndrueshëm të Palestinës”, tha Macron gjatë një konference për shtyp në Paris me presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Macron paralajmëroi se Franca do të reagojë fuqishëm me partnerët e saj evropianë nëse Izraeli ndërmerr ndonjë formë aneksimi të pjesshëm apo të plotë, qoftë “ligjërisht apo në praktikë.”

“Aneksimi i çdo pjese të Bregut Perëndimor do të përbënte një vijë të kuqe”, theksoi ai.

Sipas Macron, dhuna e kolonëve dhe zgjerimi i vendbanimeve kanë arritur nivele rekord, duke rrezikuar stabilitetin e Bregut Perëndimor dhe duke shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ai përsëriti se Franca mbetet e angazhuar për zgjidhjen me dy shtete.

Presidenti francez theksoi gjithashtu se “dorëzimi i ndihmave humanitare në Rripin e Gazës duhet të sigurohet në mënyrë të sigurt dhe të pakufizuar nën mbikëqyrjen e OKB-së, në përputhje të plotë me të drejtën humanitare ndërkombëtare.”

Franca do të sigurojë 100 milionë euro ndihmë humanitare për Gazën në vitin 2025, tha Macron, duke shtuar se dërgesat emergjente do të përfshijnë ushqime për fëmijët, ilaçe dhe pajisje mjekësore.

Paris gjithashtu do të marrë pjesë në Konferencën e Rindërtimit të Kajros dhe do të ndihmojë në ringritjen e sektorit shëndetësor të Gazës në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Macron theksoi se stabilizimi i Gazës kërkon rikthimin e forcave të sigurisë së Autoritetit Palestinez për të garantuar rendin dhe sigurinë, duke konfirmuar se Franca është e gatshme të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve të sigurisë palestineze përmes misioneve të BE-së, me mbi 100 xhandarë francezë që pritet të vendosen në terren.

Nga ana e tij, Mahmoud Abbas shprehu mirënjohje për presidentin amerikan Donald Trump dhe falënderoi Egjiptin, Katarin dhe Türkiyen për “përpjekjet e palodhura” në ruajtjen e armëpushimit, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës pas luftës.

“Ne shprehim mirënjohje të thellë për presidentin Trump dhe përpjekjet që ai po bën aktualisht”, tha Abbas.

“Gjithashtu përshëndesim përpjekjet e palodhura të Egjiptit, Katarit dhe Türkiyes për forcimin e armëpushimit dhe për mbështetjen e operacioneve humanitare”.

Abbas shtoi se 160 vende tashmë e njohin Palestinën, duke shprehur shpresën se “populli palestinez do të festojë një ditë fundin e pushtimit, lirinë, dinjitetin dhe pavarësinë”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë”, shtoi ai.

Presidenti palestinez theksoi gjithashtu se Gaza është pjesë integrale e shtetit të Palestinës nën sovranitetin palestinez, dhe se të gjitha institucionet tranzitore dhe pikat kufitare në territor “duhet të varen nga Autoriteti Palestinez”.

Ai përsëriti gatishmërinë e Palestinës për të bashkëpunuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ShBA-në dhe Francën, në zbatimin e përpjekjeve për paqe nën garanci të qarta ndërkombëtare.

Vizita e Abbasit në Francë shënoi udhëtimin e tij të parë që nga njohja zyrtare e shtetit palestinez nga Parisi më herët gjatë këtij viti.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë