Pesë persona janë arrestuar sot në kuadër të operacionit policor të koduar "White Star", i mbështetur nga EUROPOL-i, si edhe nga autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Francës dhe Holandës.
Policia e Kosovës njofton se përfaqësues të institucioneve të huaja së bashku me prokurorin e rastit, kanë monitoruar zhvillimin e aksionit nga vendi i ngjarjes, i zhvilluar në disa lokacione të Kosovës.
Sipas policisë, aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore.
Me vendim të prokurorit special, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrim parash.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar prova materiale dhe pasuri të ndryshme, përfshirë gjashtë armë, pesë karikatorë, 239 fishekë, 9,67 gramë substancë të dyshuar kokainë, 35,18 gramë fara të dyshuara të marijuanës, 25 telefona mobilë, 7.595 euro para të gatshme, 10 automjete, një motoçikletë, 10 kompjuterë, 13 pajisje USB, një DVR dhe 16 ora dore.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se do të vazhdojnë veprimet e koordinuara për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale në përputhje me legjislacionin në fuqi.























