| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kuvendi i Kosovës miraton deklaratë për mbrojtjen e UÇK-së dhe kundërshtimin e vendimit të Speciales
Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, ku kërkohet bashkërendimi i të gjithave veprimeve juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike mbi luftën e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës miraton deklaratë për mbrojtjen e UÇK-së dhe kundërshtimin e vendimit të Speciales
Kuvendi i Kosovës miraton deklaratë për mbrojtjen e UÇK-së dhe kundërshtimin e vendimit të Speciales / Foto: Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Legjilsaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një deklaratë të hartuar së bashku për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundër vendimit të konsideruar të padrejtë të Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Deputetët me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratuan Deklaratën për aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në deklaratën të cilën e lexoi para deputetëve kryetarja Albulena Haxhiu, Kuvendi ka shprehur shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së; e ka konsideruar si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal si dhe ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore të marrin veprime të nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të Kosovës.

"Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen të gjitha veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës", thuhet në deklaratën e lexuar nga Haxhiu.

Tutje, në Deklaratë thuhet se në Kosovën e viteve 1998-1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë.

"(Deklarata) Kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës për të vënë nën dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë", thuhet tutje në deklaratë.

Pas miratimit të kësaj deklarate, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me iniciativën e së cilës u ngrit deklarata, i ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratim, ndërsa ka kërkuar që në vijim të votohen edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

"Votimi i ligjit është hapi i radhës për t'i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur. PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj", thuhet në njoftimin e PDK-së.

Më 16 shtator, Thaçi dhe Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë