| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kryetarët e disa komunave protestojnë para Qeverisë së Kosovës
Agim Aliu, kryetar i AKK-së, ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese për komunat”.
Kryetarët e disa komunave protestojnë para Qeverisë së Kosovës
Kryetarët e disa komunave protestojnë para Qeverisë së Kosovës/ AA

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka protestuar përballë Qeverisë së Kosovës të martën për shkak se sipas tyre “Qeveria ka përkeqësuar gjendjen financiare të komunave”.

Agim Aliu, kryetar i AKK-së, ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese për komunat”.

Në protestën e kryetarëve të komunave, pa mbështetjen e kryetarëve të komunave që vijnë nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Aliu ka thënë se mesazhi i protestës është: “Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”.

“Kur dëmtohet buxheti i komunës, nuk dëmohet vetëm një institucion, dëmtohet qytetari, nxënësi, mësimdhënësi, mjeku, fermeri, biznesi dhe secila familje që pret shërbime cilësore nga komuna e vet. Për vite me radhë komunave u janë bartur obligime financiare që nuk janë krijuar prej tyre dhe për të cilat nuk janë siguruar mjete nga niveli qendror i qeverisjes”, theksoi Aliu.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për “agjendë të dyshimtë”.

Ai tha se Qeveria i ka sjellë komunat në gjendje shumë të vështirë.

“Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për ta bllokuar dhe ndëshkuar qytetarin. Shikojeni çfarë po ndodh me komunat. Aty ku Vetëvendosje nuk fitoi, qeveria po i bllokon buxhetin dhe investimet”, theksoi Rama.

Kërkesat kryesore të Asociacionit të Komunave të Kosovës janë mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0,5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.