| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Franca forcon mbrojtjen e infrastrukturës kritike përballë “sulmeve hibride ruse”
Presidenti Macron tha se “kërcënimi hibrid rus ndaj evropianëve dhe Francës” është intensifikuar.
Franca forcon mbrojtjen e infrastrukturës kritike përballë “sulmeve hibride ruse”
Franca forcon mbrojtjen e infrastrukturës kritike përballë “sulmeve hibride ruse”

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të premten se e ka urdhëruar forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe objekteve të mbrojtjes, përballë asaj që e cilësoi si rritje të “sulmeve hibride ruse”.

“Me kërkesën tonë, ministri i Brendshëm mblodhi dje të gjithë prefektët rajonalë për ta rritur nivelin e gatishmërisë dhe vigjilencës ndaj sulmeve hibride ruse”, u tha Macron gazetarëve pas një takimi me drejtuesit e partive politike.

Ai tha se qeverisë i është kërkuar të hartojë një plan për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve më të ndjeshme të bazës industriale dhe teknologjike të mbrojtjes nga sulmet me dronë dhe sulmet kibernetike.

“Në javët e fundit, kërcënimi, veçanërisht kërcënimi hibrid rus ndaj evropianëve dhe Francës, është intensifikuar”, tha Macron.

Ai bëri thirrje për vigjilencë dhe veprim, duke paralajmëruar se manovra ose sulme të ngjashme mund të ndodhin në qytete apo zona të ndjeshme.

“Do të ishte gabim që Rusia të vazhdonte të vepronte në këtë mënyrë ndaj evropianëve. Synimi është të na frikësojë dhe të pengojë përpjekjet për mbështetjen e ukrainasve; pasoja do të jetë e kundërta”, shtoi ai.

Macron tha se Franca po vazhdon të forcojë mbrojtjen kundër ndërhyrjeve të huaja dhe sulmeve kibernetike.

“Ne kemi hartuar legjislacion të ri për ndërhyrjet e huaja, si edhe për çështjet kibernetike, i cili do të vijojë procedurën legjislative sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të zbatohet plotësisht në javët e ardhshme”, tha ai.

Rriten shqetësimet për çmimet e gazit dhe energjinë

Macron tha se po rritet shqetësimi për çmimet e gazit dhe situatën energjetike.

Sipas tij, kjo lidhet si me luftën në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, ashtu edhe me luftën në Ukrainë.

“Pasojat e sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit i janë shtuar kësaj situate”, tha Macron.

Ai shtoi se Franca po bën “gjithçka që mundet” për ta lehtësuar rihapjen paqësore të Ngushticës së Hormuzit.

“Kjo varet nga mundësia për të finalizuar një marrëveshje, gjë që ne e konsiderojmë pak të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në afat të shkurtër”, tha ai.

Presidenti francez tha gjithashtu se autoritetet po përpiqen të sigurojnë furnizimet në sektorët më të ndjeshëm, veçanërisht me karburant për avionë dhe gaz.

“Franca është në nivelin e pritshëm të rezervave të gazit dhe objektet e magazinimit do të jenë të mbushura për këtë dimër, në përputhje me kriteret evropiane”, tha Macron.

Ai shtoi se Evropa në tërësi mbetet më e varur nga gazi sesa vetë Franca.

“Prandaj duhet të veprojmë për të shmangur tensionet në këtë treg. Nafta, karburanti për avionë dhe gazi janë prioritetet tona”, tha ai.

Macron njoftoi gjithashtu se të dielën do të takohet me kryeministrin kanadez Mark Carney për të forcuar shkëmbimet tregtare në produktet e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

Ai shtoi se në javët e ardhshme do të mbahet edhe një takim i G7-ës kushtuar çështjeve aktuale të energjisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë