| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Tetë të burgosur të vrarë në trazirat në burgjet e Ekuadorit
Dhejetë persona u plagosën në dy trazira të veçanta në burgje, sipas autoriteteve vendase.
Tetë të burgosur të vrarë në trazirat në burgjet e Ekuadorit
Tetë të burgosur të vrarë në trazirat në burgjet e Ekuadorit/ AA

Tetë të burgosur u vranë në dy trazira të veçanta në burgjet e provincave andine të Cotopaxi-t dhe Pichincha-s në Ekuador, sipas autoritetit shtetëror përgjegjës për burgjet.

Në një deklaratë të publikuar në platformën X, në pronësi të kompanisë amerikane të rrjeteve sociale, Shërbimi Kombëtar për Kujdesin Gjithëpërfshirës ndaj të Rriturve të Privuar nga Liria dhe të Miturve Shkelës të Ligjit (SNAI) tha se katër të burgosur humbën jetën në një burg në Latacunga, ndërsa katër të tjerë u vranë në burgun El Inca në Kito.

Autoriteti bëri të ditur se 10 persona të tjerë u plagosën gjatë incidenteve dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.

Autoritetet kanë identifikuar personat që dyshohet se janë përfshirë në trazira dhe planifikojnë t'i transferojnë ata në burgun e sigurisë së lartë El Encuentro, në provincën bregdetare Santa Elena, shtoi agjencia.

Autoriteti përgjegjës për burgjet tha gjithashtu se forcat e rendit po zhvillojnë operacione në institucionet e prekura për të rivendosur rendin.

Burgjet në Ekuador janë kthyer në vatra kryesore të dhunës, ku përplasjet vdekjeprurëse mes bandave kriminale rivale u kanë marrë jetën dhjetëra personave në një seri masakrash që nga viti 2021.