Bisedimet në nivel teknik midis ShBA-së dhe Iranit pritet të nisin në Zvicër “brenda një ose dy ditësh”, thanë të shtunën burime qeveritare pakistaneze për Anadolu.
“Pakistani, së bashku me ndërmjetës të tjerë, është në kontakt me të dyja palët, të cilat pritet të takohen në Zvicër brenda një ose dy ditësh për ta nisur fazën e ardhshme të Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit”, tha një burim pranë procesit të ndërmjetësimit.
Mediet shtetërore iraniane dhe burime pakistaneze konfirmuan se ministri i Punëve të Brendshme i Pakistanit, Mohsin Naqvi, sot nis drejt Teheranit për të diskutuar fazën e ardhshme të bisedimeve me udhëheqjen iraniane.
Irani kishte shtyrë bisedimet në nivel teknik me ShBA-në në shenjë proteste ndaj shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli në Liban.
Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, krijoi bazën për bisedime të drejtpërdrejta në Zvicër.
ShBA-ja dhe Irani ishin planifikuar të zhvillonin bisedimet në Zvicër dje për të nisur një periudhë negociatash prej 60 ditësh.
Pas sigurimit të një armëpushimi më 8 prill, Pakistani më 12 dhe 13 prill priti bisedimet e drejtpërdrejta në nivelin më të lartë midis dy vendeve, të parat që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979.















