Osmani pritet në takim nga sekretari i Shtetit Rubio, diskutojnë çështje të partneritetit strategjik
Osmani ka theksuar fuqizimin e partneritetit strategjik Kosovë–ShBA, anëtarësimin e Kosovës në NATO, rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington dhe në shënim të 18-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentja Vjosa Osmani është pritur në Departamentin e Shtetit në takim nga sekretari Marco Rubio.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Presidentes, Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për ftesën që presidentit amerikan Donald Trump ia ka bërë Kosovës për të qenë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes dhe pjesë e takimit inaugurues.
Ajo po ashtu ka shprehur falënderimet për garancinë e fuqishme që presidenti Trump i ka dhënë dje për paqen në rajon dhe, me këtë rast, e ka falënderuar edhe sekretarin Rubio për lidershipin dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces.
Në takim janë diskutuar çështje të partneritetit strategjik, nga fusha e sigurisë rajonale dhe diplomacisë, deri te ekonomia dhe mbrojtja. Osmani ka theksuar disa procese me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon: fuqizimin e partneritetit strategjik Kosovë–ShBA, anëtarësimin e Kosovës në NATO, rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje.
Presidentja Osmani e ka falënderuar sekretarin Rubio për mbështetjen e fuqishme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, ajo ka theksuar rolin historik të ShBA-së në çlirimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, si dhe rëndësinë e veçantë të pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të misionit të NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Në këtë frymë, thuhet më tej në njoftim, ajo ka nënvizuar se rruga natyrore e këtij partneriteti strategjik është anëtarësimi i Kosovës në NATO, “proces ky i domosdoshëm për të siguruar paqe afatgjatë në rajonin tonë”.
Presidentja gjithashtu ka theksuar rëndësinë e avancimit të dialogut strategjik bilateral Kosovë–ShBA si mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Po ashtu, ajo ka theksuar se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së përbën interes jetik kombëtar dhe është ekzistencial për Republikën e Kosovës, duke vënë në pah prioritetet strategjike për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.