Në Shqipëri është mbajtur sot një tubim, sipas organizatorëve, në “mbrojtje të shërbimeve publike, pagave të drejta dhe dinjitetit të punonjësve”.
Me sloganin "Shërbimet publike në emergjencë", tubimi është organizuar nga Unioni i Sindikatave të Shqipërisë, para ambienteve të Ministrisë së Financave, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimeve Publike.
Gjatë tubimit është bërë thirrje për paga dinjitoze dhe kushte të sigurta pune, shërbime publike cilësore për çdo qytetar, dialog social real me sindikatat, investime në arsim, shëndetësi dhe administratë dhe respektimin e të drejtave të çdo punonjësi.
Gjithashtu u theksua se protestojnë "për të drejtën e çdo qytetari për një shtet që funksionon dhe për një Shqipëri që nuk braktis njerëzit e saj". Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve në tubim, kërkesat e tyre janë për drejtësi sociale, paga të ndershme dhe shërbime publike të forta.
Dita Ndërkombëtare e Shërbimeve Publike, e miratuar nga OKB-ja, shënohet me 23 qershor, ndërkohë synon të theksojë rëndësinë dhe vlerat e shërbimeve publike për qytetarët.






















