Google planifikon të investojë të paktën 15,1 miliardë dollarë në infrastrukturën digjitale në Finlandë gjatë dy viteve të ardhshme, duke thelluar angazhimin e tij afatgjatë ndaj vendit dhe Evropës.
Gjiganti i teknologjisë njoftoi strategjinë e tij për qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën mbështetëse në qytetet finlandeze Hamina, Kajaani, Muhos dhe Vaala. Kjo nismë përbën investimin më të madh të vetëm të kompanisë në Evropë deri më sot.
Investimi masiv përfshin projekte të energjisë së pastër dhe fonde të posaçme për komunitetet, me qëllim mbështetjen e biodiversitetit lokal, arsimit, kërkimit dhe zhvillimit të fuqisë punëtore. Gjatë fazës fillestare të ndërtimit, mes viteve 2027 dhe 2028, projekti pritet të kontribuojë mesatarisht 3,6 miliardë euro në vit në ekonominë finlandeze.
Zgjerimi i infrastrukturës pritet të mbështesë më shumë se 37 mijë vende pune në mbarë vendin, prej të cilave rreth 16 mijë në sektorin e ndërtimit. Pasi objektet të vihen në funksion, ato pritet të mbështesin 7.000 vende pune në vit ndërsa do të gjenerojnë të ardhura nga puna me paga mesatare 24 për qind mbi pagën mesatare kombëtare.
Kompania gjithashtu nënshkroi një marrëveshje 22-vjeçare për blerjen e energjisë elektrike me kompaninë finlandeze të energjisë "Fortum", për ta mbështetur programin për zgjatjen e jetëgjatësisë së centralit bërthamor Loviisa.























