Në vitin 2002, Türkiye mahniti botën pasi u kualifikua në gjysmëfinalen e Kupës së Botës FIFA, një arritje për të cilën shumica e kombëtareve vetëm mund të ëndërronin.
Në atmosferën elektrizuese të stadiumit Saitama në Japoni, kombëtarja e Türkiye dëshmoi se ishte një kundërshtar i denjë për Brazilin, i cili në fund fitoi ndeshjen me rezultat 1-0, duke i dhënë fund rrugëtimit të turneut për Türkiye dhe trajnerin e atëhershëm, Şenol Güneş.
Më pas, Türkiye siguroi vendin e tretë në turne.
Türkiye ka marrë pjesë në tre Kupa Bote FIFA. Në vitin 1954, kombëtarja u eliminua në fazën e grupeve; në vitin 2002 arriti rezultatin më të mirë në histori; ndërsa në vitin 2026 do të shënojë rikthimin e saj të parë në skenën botërore pas 24 vitesh.
Skuadra është “e mbushur me talent”, thotë Vincenzo Montella, ish-sulmues i Italisë dhe trajner i kombëtares së Türkiye që nga viti 2023.
“Lojtarët shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe janë një grup jashtëzakonisht i bashkuar. Türkiye është një skuadër shumë e re, e balancuar mirë dhe me një të ardhme shumë të ndritur përpara”, thotë Montella për “Yjet me Gjysmëhënë”, të cilët po rikthehen në skenën më të madhe të futbollit me shpresën për të përsëritur suksesin e vitit 2002.
Montella është krenar dhe optimist për këtë “gjeneratë të artë” dhe potencialin e saj për të surprizuar si “kali i errët” i turneut.
Më 31 mars, Türkiye siguroi biletën për në Kupën e Botës pasi mposhti Kosovën me rezultat 1-0 në play-off, duke fituar një vend në Grupin D së bashku me vendin mikpritës ShBA-në, Paraguajin dhe Australinë.
Gjatë Euro 2024, Türkiye arriti deri në çerekfinale.
Në atë turne, skuadra tregoi presion agresiv dhe cilësi të lartë teknike, ndërsa humbjen e vetme e pësoi ndaj Holandës, një prej fuqive të futbollit evropian, me rezultat 2-1.
Megjithëse kundërshtarët në Grupin D mund të paraqesin sfida serioze, kualifikimi historik në Kupën e Botës dhe paraqitja mbresëlënëse në Euro 2024 pritet ta ndihmojnë Türkiye të arrijë fazën me eliminim direkt dhe më tej.
Formacioni i Türkiyes
Lista zyrtare përbëhet nga 26 futbollistë:
Portierë: Altay Bayındır (Manchester United), Mert Günok (Fenerbahçe), Uğurcan Çakır (Galatasaray).
Mbrojtës: Abdülkerim Bardakcı (Galatasaray), Çağlar Söyüncü (Fenerbahçe), Eren Elmalı (Galatasaray), Ferdi Kadıoğlu (Brighton & Hove Albion), Merih Demiral (Al Ahli), Mert Müldür (Fenerbahçe), Ozan Kabak (Hoffenheim), Samet Akaydın (Çaykur Rizespor), Zeki Çelik (AS Roma).
Mesfushorë: Hakan Çalhanoğlu (Inter), İsmail Yüksek (Fenerbahçe), Kaan Ayhan (Galatasaray), Orkun Kökçü (Beşiktaş), Salih Özcan (Borussia Dortmund).
Sulmues: Arda Güler (Real Madrid), Barış Alper Yılmaz (Galatasaray), Can Uzun (Eintracht Frankfurt), Deniz Gül (FC Porto), İrfan Can Kahveci (Kasımpaşa), Kenan Yıldız (Juventus), Kerem Aktürkoğlu (Fenerbahçe), Oğuz Aydın (Fenerbahçe), Yunus Akgün (Galatasaray).
Megjithatë, emrat kryesorë për t’u ndjekur janë Arda Güler i Real Madridit, sulmuesi i Juventusit Kenan Yıldız dhe kapiteni veteran Hakan Çalhanoğlu.
Gjatë sezonit të fundit, Güler u shndërrua në një nga lojtarët kyç të Real Madridit falë aftësisë së tij të jashtëzakonshme për të luajtur në disa pozicione. 21-vjeçari mund të aktivizohet si mesfushor ofensiv, mesfushor qendror dhe anësor.
Ai është gjithashtu shumë i aftë të luajë me të dyja këmbët.
Më 31 maj, Güler u shpall “Zbulimi i Sezonit” në Ligën e Kampionëve të UEFA-s për sezonin 2025/26.
Edhe Yıldız, po ashtu 21 vjeç, pati një sezon shpërthyes me Juventusin, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë 9 asistime në të gjitha garat.
Të dy po fitonin gradualisht vend në skuadër gjatë Euro 2024, ndërsa tani kombëtarja është ndërtuar rreth kësaj dyshje.
Çalhanoğlu është një nga shtyllat e Interit dhe një specialist i goditjeve të lira dhe penalltive, i aftë të rrezikojë vazhdimisht nga distanca.
Kjo gjeneratë e futbollistëve turq konsiderohet edhe më e talentuar se skuadra gjysmëfinaliste e vitit 2002 dhe shihet si sfiduesi kryesor i ShBA-së në Grupin D.
Türkiye renditet në vendin e 22-të në renditjen e FIFA-s dhe do të përballet me Australinë (vendi i 27-të) më 14 qershor, Paraguajin (vendi i 40-të) më 19 qershor dhe vendin mikpritës, ShBA-në (vendi i 16-të), më 25 qershor.
Rezultatet e fundit të Türkiyes
Me një ndeshje miqësore të mbetur kundër Venezuelës më 6 qershor, Türkiye hyn në Kupën e Botës pas një fitoreje bindëse 4-0 ndaj Maqedonisë së Veriut.
Para kësaj ndeshjeje, “Yjet me Gjysmëhënë” kishin regjistruar shtatë fitore, dy humbje dhe një barazim në dhjetë ndeshjet e fundit, duke dëshmuar formë shumë të mirë.
Më e rëndësishmja, Türkiye do të ketë vetëbesim të lartë pas fitores 2-1 ndaj ShBA-së në një ndeshje miqësore më 7 qershor 2025. Në atë takim, skuadra ishte në disavantazh që në minutën e parë, por arriti përmbysjen falë golave të Güler dhe Aktürkoğlu.
Formacioni bazë i trajnerit Vincenzo Montella është 4-2-3-1, i cili në sulm shpesh shndërrohet në 4-3-3.
Stili i lojës së skuadrës bazohet në posedimin e topit, me synimin për të kontrolluar ritmin e ndeshjes dhe për ta mbajtur topin larg kundërshtarëve sa më shumë të jetë e mundur.
Türkiye është taktikisht fleksibile dhe mund të kalojë shpejt nga mbrojtja në sulm në varësi të kundërshtarit.
Për kapitenin Hakan Çalhanoğlu, skuadra ka cilësitë dhe ambiciet për të shkaktuar surpriza. Motoja e tij është të ecin “adım adım” (hap pas hapi), duke nisur me kalimin e fazës së grupeve.
“Nuk ka asgjë që kjo skuadër nuk mund ta arrijë! Kemi realizuar objektivin tonë të parë. Shpresojmë të bëjmë gjëra të mëdha edhe në Kupën e Botës,” tha së fundmi Çalhanoğlu.
Duke komentuar grupin me ShBA-në, Paraguajin dhe Australinë, ai u shpreh optimist:
“Jemi në një grup të mirë në Kupën e Botës. Së pari, le të kalojmë fazën e grupeve, pastaj do të shohim. Unë gjithmonë mendoj në këtë mënyrë.”























