FIFA ka akuzuar UEFA-n se po zhvillon një “fushatë dezinformimi” dhe se po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të saj, në kuadër të përshkallëzimit të një beteje ligjore lidhur me projektin e braktisur FIFA Forward Enterprise (FFE).
Në një parashtresë të dorëzuar të hënën në Gjykatën Federale të Qarkut Jugor të Floridës në ShBA, FIFA kundërshtoi kërkesën e UEFA-s për publikimin e provave dhe dokumenteve që lidhen me projektin.
Organi drejtues i futbollit evropian akuzoi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për “keqmenaxhim kriminal” dhe për promovimin e asaj që e cilësoi si një “çmim mashtrues jashtë tregut”, në interes të tij personal dhe në lidhje me propozimin FFE.
Në përgjigjen e saj, FIFA tha se parashtresa e UEFA-s përmbante “shumë deklarata të rreme ose çorientuese për FIFA-n dhe Infantinon”.
“Pa asnjë bazë, UEFA sugjeron se zoti Infantino ka kërkuar të përfitojë personalisht nga propozimi FFE”, tha FIFA, sipas një raporti të BBC-së.
“Sugjerimet e UEFA-s se zoti Infantino ka shkelur ndonjë ligj apo parim etik janë kategorikisht të pabazuara”, shtoi FIFA.
FIFA e cilësoi gjithashtu kërkesën e UEFA-s për dokumente si absurdist, duke argumentuar se gjykatat kanë refuzuar kërkesa të ngjashme më parë.
Propozimi FFE u braktis pas kundërshtimeve të shumta. UEFA ka qenë ndër kritikët kryesorë të Infantinos për këtë projekt, ndërsa janë bërë edhe thirrje për dorëheqjen e tij.
Të hënën, The Athletic raportoi se Infantino kishte shprehur mbështetje për shpërndarjen e më shumë fondeve për federatat anëtare nga rezervat prej 6 miliardë dollarësh të FIFA-s.
Sipas raportit, Infantino u tha presidentëve të gjashtë konfederatave kontinentale të FIFA-s se propozimet për fonde shtesë do të shqyrtohen nga Këshilli i FIFA-s në mbledhjen e 15 tetorit.
Infantino pritet të kandidojë për një mandat tjetër si president në mars 2027, ndërsa kandidatët e mundshëm kanë afat deri më 18 nëntor për të hyrë në garë.





















