Kryetari i Kuvendit i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim të lamtumirës me ambasadorin e Türkiye, Fatih Ulusoy, para largimit të tij nga misioni në vend.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, në takim, kryeparlamentari Gashi shprehu falënderim dhe mirënjohje për kontributin e ambasadorit në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe dialogut politik midis dy vendeve mike.
"U konfirmuan reciprokisht marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Türkiyes dhe u riafirmua interesi për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar në nivel dypalësh dhe shumëpalësh, për zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm ekonomik dhe të investimeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë", thuhet nga Kuvendi.
Duke e falënderuar për bashkëpunimin e frytshëm dhe intensiv, Gashi i uroi ambasadorit Ulusoy suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale dhe shpreson se ai edhe në të ardhmen do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Republikën e Maqedonisë së Veriut, bëjnë të ditur në njoftim.



















