| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Protestë në Kroaci më 15 korrik në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media bëri të ditur se protesta do të nisë nga ora 18:00 në Zarë të Kroacisë, me qëllim të kërkimit të lirimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestë në Kroaci më 15 korrik në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Protestë në Kroaci më 15 korrik në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Më 15 korrik, pesë ditë para se të jepet verdikti final gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Specializuara për krime lufte në Kosovë, e njohur si Gjykata Speciale me seli në Hagë, do të mbahet protestë në Kroaci.

Këtë protestë, e kanë paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media bëri të ditur se protesta do të nisë nga ora 18:00 në Zarë të Kroacisë, me qëllim të kërkimit të lirimit të ish-krerëve të UÇK-së.

"Shpresoj dhe dua të besoj se shumë qytetarë shqiptarë por edhe kroatë, por edhe veteranë kroatë dhe shqiptarë që kanë luftuar për shtetin kroat do të na bashkëngjiten në protestën tonë të radhës e cila është protestë paqësore që ne do ta dërgojmë edhe një mesazh. Mesazhi i fundit besoj do të jetë që shpresojmë që shumë shpejtë, brenda tre jave sa na kanë mbetur, që gjithë populli shqiptar, siç kam dëshirë unë dhe ju, por edhe gjithë kombi, lirimit të tyre më 20 korrik", theksoi Gucati.

Gucati tha se shpreson se kjo do të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë.

Dhomat e Specializuara mund ta shtyjnë përsëri afatin e parashikuar

Fillimisht, Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale kishte afat deri më 19 maj 2026 për të shpallur vendimin përfundimtar, por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik 2026. Por, kjo datë, po ashtu, mund të mos jetë përfundimtare ngase Dhomat e Specializuara mund ta shtyjnë përsëri afatin e parashikuar nëse ajo konsiderohet e nevojshme.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Sipas aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pretendohet se ata kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për "ndërmarrje të përbashkët kriminale" lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për "tortura e trajtim mizor" në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë