Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përmes nënshkrimit të dy marrëveshjeve sot në Tiranë.
Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të vizitës së ministrit të Bujqësisë, të Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja, në kryeqytetin shqiptar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Andis Salla, theksoi se nënshkrimi i dy marrëveshjeve përfaqëson një dëshmi të mëtejshme të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, duke shprehur vullnetin e përbashkët për t'i kthyer ato në iniciativa konkrete dhe rezultate të prekshme për qytetarët.
"Këto marrëveshje vijnë në vijim të takimit të zhvilluar në prill në Prishtinë dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm në konkretizimin e angazhimeve të marra nga të dyja palët. Marrëveshjet materializojnë bashkëpunimin tonë në dy drejtime strategjike. Së pari, në zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit. Së dyti, në hartimin e një qasjeje të përbashkët për marketingun, promovimin dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve agroushqimore", tha Salla.
Ministri nënvizoi se bujqësia mbetet një sektor me rëndësi strategjike për të dy vendet, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, mirëqenien e komuniteteve rurale, krijimin e vendeve të punës dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
"Marrëveshja për marketingun dhe promovimin e produkteve agroushqimore synon rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tona, si dhe forcimin e pranisë së tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare", shtoi ai, duke përmendur koordinimin e aktiviteteve promovuese, pjesëmarrjen në panaire dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë në të dy vendet.
Salla theksoi gjithashtu se këto marrëveshje hapin mundësi të reja për pjesëmarrjen e të dy vendeve në projekte të Bashkimit Evropian.





















