Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, kanë inauguruar nënstacionin e ri policor në Junakë të Komunës së Zveçanit.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ky nënstacion forcon praninë institucionale, rrit sigurinë dhe fuqizon sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Vendosja e institucioneve të sigurisë në terren është dëshmi e shtrirjes së shtetit dhe e përkushtimit ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim. Prania e policisë mundëson reagim më të shpejtë, ofrim më efikas të sigurisë dhe forcim të besimit në institucionet shtetërore, si themel i stabilitetit dhe sigurisë së qëndrueshme”, theksoi Haxhiu.
Më tej, ajo ka thënë se investimet në Policinë e Kosovës, në siguri dhe në forcimin e institucioneve shtetërore do të vazhdojnë, për të mbrojtur sovranitetin, rendin kushtetues dhe për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar e më të sigurt në çdo cep të saj.



















