Agjentët e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), të dislokuar në aeroportet e ShBA-së, mund të qëndrojnë në detyrë edhe pasi punonjësit e Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) të marrin pagat e prapambetura këtë javë.
Zyrtari ii Shtëpisë së Bardhë, Tom Homan, tha për CNN të dielën se vazhdimi i pranisë së agjentëve të ICE-së në aeroporte varet nga rikthimi në punë i personelit të TSA-së, duke theksuar se ICE-ja po ruan një nivel të lartë sigurie për shkak të një mjedisi me rrezik të shtuar.
Homan shtoi se po bashkëpunon ngushtë me administratorin e TSA-së dhe drejtorin e ICE-së për të vlerësuar nevojat specifike të çdo aeroporti.
Presidenti Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv të premten, duke udhëzuar përdorimin e fondeve ekzistuese për të mbuluar pagat e TSA-së, me pagesat që pritet të bëhen që të hënën ose të martën.
Ngërçi i financimit ka shkaktuar tashmë radhë të gjata sigurie në aeroportet kryesore për shkak të mungesës së stafit. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat vazhdojnë të bllokojnë masat për financim të plotë, gjë që pritet ta zgjasë krizën dhe ndërprerjet në udhëtime.
Negociatat për të zgjidhur mbylljen e pjesshme të qeverisë mbetën të bllokuara të hënën, ndërsa hynë në ditën e 45-të, duke u bërë më e gjata në historinë e ShBA-së.
Demokratët në Kongres kërkojnë reforma të mëdha për ICE-në dhe Shërbimin e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP), ndërsa presidenti Trump këmbëngul që çdo marrëveshje financimi duhet të përfshijë Aktin SAVE America, i propozuar fillimisht në janar 2025, që kërkon dëshmi të shtetësisë amerikane për regjistrimin federal të votuesve.
Trump gjithashtu u ka bërë thirrje republikanëve të heqin rregullin e filibuster-it në Senat, në mënyrë që të mund të miratojnë financimin pa pasur nevojë për 60 vota.




















