Të martën, ekipet e mbrojtjes civile siriane gjetën mbetjet e 20 personave në një varr masiv në zonën Tal al-Sawan, në lindje të qytetit Douma, në periferi të Damaskut, raportuan mediat vendase.
Sipas kanalit shtetëror Al-Ikhbariya, i cili citoi një deklaratë të mbrojtjes civile, shumica e trupave i përkisnin grave dhe fëmijëve, ndërsa hetuesit nuk kanë mundur ende t'i identifikojnë viktimat.
Raporti shton se asnjë nga trupat nuk kishte veshje, çka sugjeron se viktimat mund të jenë ekzekutuar në gjendje të zhveshur.
Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe autoritetet e mjekësisë ligjore, po udhëheq punimet në terren.
Që prej rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, janë zbuluar disa varre masive në gjithë Sirinë, ndër to edhe disa në afërsi të Damaskut.
Banorët sirianë thonë se rënia e regjimit të Assadit shënoi fundin e dekadave të frikës, gjatë të cilave burgjet e regjimit ishin kthyer në simbole të torturës, arrestimeve arbitrare dhe zhdukjeve të detyruara.
Qeveria e re siriane, e formuar në janar nën drejtimin e presidentit Ahmad al-Sharaa, ka deklaruar se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimeve të regjimit të kaluar do të mbetet prioritet.
Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, Sharaa premtoi se do të sigurojë “drejtësi për çdo person me duar të përgjakura nga gjaku i të pafajshmëve”.
Assadi, i cili ka sunduar Sirinë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi në dhjetor të vitit të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që ishte në pushtet që nga viti 1963.



















