| Albanian
KLIMA
2 minuta leximi
Zjarret në Francë dhe Spanjë shënuan një stabilizim ndërsa afrohet një valë e re e të nxehtit
Zjarri në Gironde të Francës mbetet i stabilizuar ndërsa zjarri në Madrid të Spanjës nuk pa asnjë ndezje gjatë natës.
Zjarret në Francë dhe Spanjë shënuan një stabilizim ndërsa afrohet një valë e re e të nxehtit
Zjarret në Francë dhe Spanjë shënuan një stabilizim ndërsa afrohet një valë e re e të nxehtit

Zjarret që kanë shkatërruar prej ditësh Francën dhe Spanjën duke djegur mijëra hektarë dhe duke detyruar evakuimet kanë filluar të lehtësohen sot, ndërsa një valë e re e të nxehtit shtrihet në rajon.

Në departamentin francez jugperëndimor të Girondes, prefektura njoftoi se zjarri mbeti i stabilizuar në mëngjes edhe pse disa shpërthime ndodhën dhe u vunë nën kontroll gjatë natës, sipas transmetuesit BFMTV.

Prefektura tha se nata ishte e qetë ndërsa mbi 2.000 zjarrfikës mbeten të mobilizuar për të siguruar perimetrin e zjarrit ende aktiv dhe për të shuar vatrat e mbetura. Ajoa tha se 126 zjarrfikës janë lënduar që nga fillimi i zjarrit në Gironde.

Ndërkohë, një zjarr në departamentin juglindor të Varit u vu nën kontroll të martën pasi dogji afro 4.800 hektarë. Në departamentin jugperëndimor të Landes, deri në 350 zjarrfikës mbeten të dislokuar, megjithëse zjarri u vu nën kontroll të hënën pasi dogji 3.600 hektarë.

Gironde dhe Var janë ndër 65 departamentet nën alarm portokalli për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve në pyje për sot. Shërbimi kombëtar i motit "Meteo-France" lëshoi alarm portokalli në 16 departamente pasi pritet një valë e re e të nxehtit.

Në Spanjë, zjarri në pyll në rajonin Sierra Oeste të Madridit mbeti i qëndrueshëm gjatë natës pa asnjë shpërthim, sipas të përditshmes El Pais. Përpjekjet e zjarrfikësve vazhdojnë ende për ti vënë nën kontroll zjarret aktive në rajonin e Madridit, Avilas, Toledos, Castellonit dhe Almerias ndërsa Spanja po përgatitet për një tjetër valë të të nxehtit.

Banorët e 15 komunave në Madrid dhe Avila u kthyen në shtëpi të martën vonë ndërsa 9.000 banorë në Castellon dhe 6.000 banorë nga 11 komuna në Toledo u lejuan të kthehen. Zjarri në Vall d'Uixo në Castellon, i cili është aktiv që nga e shtuna, ka djegur 10 mijë hektarë, ka detyruar evakuimin e 10 mijë njerëzve dhe mbetet jashtë kontrollit.

Gjithsej 30 rrugë mbeten ende të mbyllura në Avila, Castellon, Madrid, Toledo dhe Leon.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë