| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Millatoviq në Astana: Hapim një fazë të re në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kazakistanit
Pas dy dekadash marrëdhëniesh diplomatike, Podgorica dhe Astana e drejtojnë bashkëpunimin drejt projekteve konkrete në ekonomi, turizëm, digjitalizim dhe lidhjen e ekonomive.
Millatoviq në Astana: Hapim një fazë të re në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kazakistanit
Millatoviq në Astana: Hapim një fazë të re në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kazakistanit/ Foto: AA

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u takua në Astana me presidentin e Kazakistanit, Kasym-Jomart Tokayev, në kuadër të vizitës së parë zyrtare të kreut të shtetit malazez në këtë vend në historinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Vizita po realizohet në vitin kur Mali i Zi dhe Kazakistani shënojnë 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe është vlerësuar si fillimi i një faze të re bashkëpunimi të orientuar drejt forcimit të lidhjeve konkrete ekonomike dhe institucionale.

Gjatë bisedimeve u theksua se të dy vendet dëshirojnë të avancojnë bashkëpunimin në fushat e investimeve, tregtisë, turizmit, zhvillimit digjital dhe lidhjes më të mirë të ekonomive.

Presidenti Milatoviq në një deklaratë tha se vizita ka rëndësi të veçantë politike dhe zhvillimore.

"Kjo është një vizitë historike për marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kazakistanit. Pas 20 vitesh marrëdhëniesh diplomatike, po hapim një kapitull të ri bashkëpunimi, me synimin që miqësinë politike ta shndërrojmë në rezultate konkrete, lidhje më të forta ekonomike, investime të reja, më shumë turistë, lidhje më të mira dhe bashkëpunim më të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe ekonomive tona", tha Millatoviq.

Ai theksoi se ekziston hapësirë e konsiderueshme për forcimin e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, si dhe për lidhjen e kompanive të dy vendeve, veçanërisht në sektorët e energjisë, transportit dhe logjistikës, ndërtimtarisë, teknologjive digjitale, inteligjencës artificiale, turizmit dhe bujqësisë.

"Kazakistani është një partner i rëndësishëm në hapësirën që po lidh gjithnjë e më shumë Evropën dhe Azinë. Këtë vizitë e shohim si një mundësi për të hapur dyer të reja për ekonominë, turizmin, investimet dhe zhvillimin e Malit të Zi", shtoi Millatoviq.

Presidenti i Kazakistanit, Kasym-Jomart Tokayev, vlerësoi se vizita e parë zyrtare e presidentit të Malit të Zi në vendin e tij është një hap i rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe një konfirmim i gatishmërisë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional.

Gjatë vizitës u nënshkruan memorandume mirëkuptimi ndërmjet odave ekonomike, organizatave kombëtare të turizmit, si dhe ndërmjet Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG) dhe institucioneve partnere nga Kazakistani, duke forcuar më tej kornizën institucionale të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, turizmit, mediave dhe shkëmbimit kulturor.

Veçanërisht u theksua rëndësia e forumit të biznesit në Astana, i cili mblodhi afaristë nga të dy vendet me qëllim rrjetëzimin e drejtpërdrejtë dhe hapjen e mundësive të reja të biznesit.

Memorandumi ndërmjet organizatave kombëtare të turizmit, siç u vlerësua, hap hapësirë për promovim më të fuqishëm të Malit të Zi në tregun e Kazakistanit dhe më gjerë në Azinë Qendrore, me potencial shtesë për rritjen e ardhjeve turistike, veçanërisht duke pasur parasysh linjat ajrore direkte ekzistuese.

U diskutua gjithashtu për avancimin e bashkëpunimit në transport dhe logjistikë, në kontekstin e rëndësisë në rritje të korridoreve që lidhin Evropën dhe Azinë, si dhe nevojën për lidhje më të mira infrastrukturore dhe tregtare.

Të dy presidentët shprehën bindjen se rezultatet e kësaj vizite do të kontribuojnë në një impuls të ri në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kazakistanit dhe do të hapin hapësirë për projekte konkrete me interes të ndërsjellë.