Nis zbatimi i plotë i sistemit të ri digjital të hyrje-daljeve në kufijtë evropianë
Gjatë kalimit kufitar, udhëtarët duhet të japin të dhëna biometrike, përfshirë shenjat e gishtërinjve dhe një fotografi të fytyrës.
Sistemi i ri i Bashkimit Evropian për kontrollin e hyrje-daljeve në kufi (EES), nga dita e sotme është bërë plotësisht operacional në të gjitha pikat e jashtme të zonës Shengen.
Ky sistem zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave me një regjistrim digjital të lëvizjeve të udhëtarëve që nuk janë shtetas të BE-së. Në vend të vulës në pasaportë, hyrjet dhe daljet do të regjistrohen elektronikisht.
Sistemi zbatohet në shumicën e shteteve evropiane që janë pjesë e zonës Shengen, përfshirë 25 vende të Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera evropiane si Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni. Në total, ai prek një hapësirë me rreth 450 milionë banorë.
Gjatë kalimit kufitar, udhëtarët duhet të japin të dhëna biometrike, përfshirë shenjat e gishtërinjve dhe një fotografi të fytyrës. Këto të dhëna përdoren për identifikim më të shpejtë dhe për të monitoruar kohëzgjatjen e qëndrimit sipas rregullit 90 ditë brenda 180 ditëve.
Sistemi është shtyrë disa herë që nga plani fillestar i vitit 2020, kryesisht për shkak të sfidave teknike dhe nevojës për përgatitje të infrastrukturës në pikat kufitare. Më herët është futur në përdorim në mënyrë graduale para aktivizimit të plotë.
Autoritetet përkatëse paralajmërojnë se në fazat e para të zbatimit mund të ketë ngadalësime dhe pritje më të gjata në kufij, sidomos gjatë periudhave me fluks të madh udhëtarësh, pasi çdo pasagjer duhet të regjistrohet në sistemin e ri digjital.
Sipas institucioneve përgjegjëse për transportin dhe kufijtë, nuk priten bllokime të mëdha për qarkullimin e mallrave, ndërsa për udhëtarët dhe automjetet private mund të ketë pritje të përkohshme gjatë periudhës së përshtatjes me sistemin e ri.