Gjykata Supreme e Indisë lejon vdekjen e parë me eutanazi pasive
Pacienti ishte në gjendje vegjetative të përhershme për më shumë se 12 vjet.
Gjykata Supreme e Indisë lejoi sot rastin e parë në vend të eutanazisë pasive, tërheqjen e mbështetjes artificiale jetësore për një burrë 32-vjeçar që ishte në gjendje vegjetative të përhershme për më shumë se 12 vjet.
Një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët J. B. Pardiwala dhe K. V. Viswanathan ka shqyrtuar një kërkesë të paraqitur nga babai i pacientit, Harish Rana, i cili kërkonte leje për të ndërprerë trajtimin që mbante në jetë djalin e tij. Familja ka thënë se Rana po mbahej artificialisht në jetë.
Rana, banor i shtetit verior indian Uttar Pradesh, pësoi lëndime të rënda në kokë pasi ra nga një ndërtesë në vitin 2013.
Të mërkurën, trupi gjykues lejoi tërheqjen e mbështetjes artificiale jetësore.
"Familjarët më të afërt të pacientit dhe bordet mjekësore kanë arritur në përfundimin se administrimi i CAN-it (ushqyerjes klinikisht të administruar) duhet të ndërpritet", citoi vendimin e gjykatës agjencia "Press Trust of India".
Në vitin 2018, Gjykata Supreme e Indisë vendosi se mbështetja jetësore mund të tërhiqet për pacientët që janë në gjendje terminale ose në koma të pashërueshme, duke e njohur eutanazinë pasive dhe duke konfirmuar se një person ka të drejtë të vdesë me dinjitet.