Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë shtuar 12 kamionë ushtarakë "Unimog 5T", 4x4, të tipit "Mercedes-Benz" ndërsa dhjetëra automjete të tjera pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur po ashtu ditë më parë kanë arritur 8 kamionë të tjerë KX 8x8 të blerë nga "Rheinmetall".
Ai tha se me këto prurje të reja, numri i kamionëve të këtyre dy kategorive arrin në 35 automjete ndërsa dhjetëra kamionë të tjerë "Unimog" dhe "Rheinmetall" janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027.
“Kamionët 'Unimog 5T' janë të projektuar për të ofruar lëvizshmëri në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, kurse kamionët 'Rheinmetall' me konfigurim 8×8 shtojnë kapacitetet transportuese të FSK-së dhe kontribuojnë në forcimin e mbështetjes logjistike”, theksoi Kurti.
Kurti tha se një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit dhe pajisjeve luftarake, por edhe përmes kapaciteteve që i mundësojnë asaj të lëvizë, të furnizohet dhe të veprojë në mënyrë efikase.
Ai shtoi se këto investime janë pjesë e angazhimit të Qeverisë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve.




















