Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se qëndrimet e tij të publikuara lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër janë të drejta edhe pse një pjesë e reagimit të tij u kundërshtua në Prishtinë.
Rama nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale foli për një "laborator", me të cilin tha se e mat saktësinë e qëndrimeve të tij kur flet apo poston për Serbinë, që është "ushtria e trojve nacionalistë turbo-folk nga Prishtina".
"Sa herë që ajo ushtri lëshohet në rrjetet sociale për të shfryrë urrejtjen e saj të verbër ndaj meje, e konsideroj të përmbushur me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi, qoftë ndaj Shqipërisë, Kosovës, apo paqes dhe bashkëpunimit rajonal", theksoi Rama.
Rama tha se gjatë ditës së djeshme ky "laborator", funksionoi në mënyrë të përsosur duke e rikonfirmuar atë si tradhtar vetëm pse ai deklaroi se Serbia e ka humbur Kosovën.
"Fakti që Serbia e ka humbur Kosovën është thjesht një fakt; po aq përvëlues për nacionalistët 'turbo-folk' në Beograd, sa ç'është irritues për ata në Prishtinë. Rreshtimi i tyre i përbashkët dje në kundërshtinë e tyre të mjerueshme ndaj meje është thjesht një kompliment tjetër për diplomacinë e Shqipërisë, për Evropën e Ballkanit", theksoi Rama.
Ai shtoi se qëndrimi i tij u mirëprit po ashtu edhe nga deputetja britanike, Alicia Kearns.




















