Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e Türkiye njoftoi të martën se një avion pasagjerësh i kompanisë LOT Polish Airlines, që fluturonte nga Varshava drejt Tel Avivit, ka hyrë në hapësirën ajrore turke pasi transmetoi kodin 7500 për rrëmbim avioni, duke bërë që autoritetet turke të zbatojnë procedurat ndërkombëtare të sigurisë ajrore.
Ministria tha se avioni e transmetoi kodin 7500 derisa ndodhej në hapësirën ajrore të Bullgarisë, përpara se të hynte në hapësirën ajrore të Türkiyes..
Edhe pse ekuipazhi i fluturimit raportoi se nuk kishte asnjë situatë të jashtëzakonshme në bord, autoritetet turke morën të gjitha masat e nevojshme në përputhje me procedurat ndërkombëtare të aviacionit, thuhet në deklaratë.
Ministria tha se dy avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Turke e shoqëruan avionin nga momenti i hyrjes në hapësirën ajrore turke deri në daljen e tij prej saj.
Pas bisedimeve me autoritetet bullgare, avionit iu lejua të rihynte në hapësirën ajrore turke pas marrjes së lejes për ulje në aeroportin e Burgasit në Bullgari, thuhet në deklaratë.
F-16-të vazhduan shoqërimin deri sa avioni doli nga hapësira ajrore turke.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Burgasit në orën 17:12 sipas kohës lokale, thuhet më tej.
Ministria theksoi se LOT Polish Airlines në shpjegimin fillestar deklaroi se incidenti erdhi si pasojë e transmetimit të gabuar të kodit nga piloti dhe se nuk ka pasur rrëmbim real avioni.
Autoritetet turke po e ndjekin nga afër incidentin në koordinim me institucionet përkatëse.




















