Kosovë, gjykata cakton 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për krime lufte

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Anadolu se masa është caktuar sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

By
Kosovë, gjykata cakton 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për krime lufte / AA

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Anadolu se masa është caktuar sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale. Ajo bëri të ditur se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale si pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Sebisë në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut.

"Sipas kërkesës, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan. Ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik", ka njoftuar Gashi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore ushtarake serbe më 9 mars 1999 gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.

"Ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik. Sipas kërkesës, prej tyre, 13 civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje, me ç’rast u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike nga i pandehuri A. D., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit", thuhet në njoftim.