| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Ka nisur restaurimi i Xhamisë së Madhe të Omerit në Gaza pas dëmtimeve të rënda
Xhamia historike pësoi dëme të mëdha nga sulmet izraelite; punimet po vështirësohen për shkak të mungesës së materialeve ndërtimore.
Ka nisur restaurimi i Xhamisë së Madhe të Omerit në Gaza pas dëmtimeve të rënda
Ka nisur restaurimi i Xhamisë së Madhe të Omerit në Gaza pas dëmtimeve të rënda / AA
26 Janar 2026

Në Rripin e Gazës kanë nisur punimet për restaurimin e Xhamisë së Madhe të Omerit, një nga objektet historike dhe fetare më të rëndësishme të zonës, pasi ajo u dëmtua rëndë nga sulmet izraelite.

Xhamia e Madhe e Omerit, e vendosur në bërthamën e vjetër të qytetit të Gazës, është një nga xhamitë më të mëdha në Rripin e Gazës dhe shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 4.100 metrash katrorë.

Pamjet nga terreni tregojnë pjesë të shembura të objektit, strukturë guri të dëmtuar, si dhe libra të shpërndarë në dyshemenë e bibliotekës së xhamisë.

Inxhinieri Husni al-Mazlum nga Fondacioni “Riwak” deklaroi se ekipet e restaurimit aktualisht janë të përqendruara në klasifikimin dhe ripërdorimin e elementeve të mbetura prej guri nga lokaliteti, për shkak të mungesës serioze të materialeve ndërtimore.

“Po i klasifikojmë dhe po i ripërdorim gurët e mbetur nga lokaliteti dhe po i përgatisim për restaurim dhe rindërtim, në përputhje me atë që kemi aktualisht në dispozicion”, tha Mazlum.

Sipas tij, qasja në materialet bazë është jashtëzakonisht e kufizuar për shkak të luftës dhe kufizimeve afatgjata, ndërsa rezervat që ekzistonin para konfliktit janë shteruar plotësisht, gjë që i detyron punëtorët të përdorin atë që ka mbetur në terren.

Ai shtoi se punimet aktualisht janë të përqendruara në sallën kryesore të faljes së xhamisë, e cila shtrihet në rreth 1.250 metra katrorë, si pjesë e kompleksit më të gjerë të Xhamisë së Madhe të Omerit, me synimin e rikthimit të njësive arkitekturore origjinale.

Palestinezët e akuzojnë Izraelin për shkelje të shumta të marrëveshjes së armëpushimit, e cila ndali luftën dyvjeçare gjatë së cilës, sipas të dhënave të disponueshme, që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë më shumë se 71.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 171.400 persona janë plagosur.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i armëpushimit të brishtë janë vrarë të paktën 484 persona, ndërsa 1.321 të tjerë janë plagosur.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë