| albanian
BOTA
3 minuta leximi
Afganistani dhe Pakistani në përplasje të ashpra në kufi mes tensioneve në rritje
Sulmi i talebanëve në Afganistan vjen në një kohë kur Pakistani po lufton kundër grupit terrorist TTP, pasi që Islamabadi pretendon se ai vepron nga territori afgan.
Afganistani dhe Pakistani në përplasje të ashpra në kufi mes tensioneve në rritje
Afganistani dhe Pakistani në përplasje të ashpra në kufi mes tensioneve në rritje
12 Tetor 2025

Përleshje të ashpra kanë shpërthyer midis Afganistanit dhe Pakistanit, teksa të dy ushtritë kanë shkëmbyer artileri ndërkufitare dhe zjarr intensiv në disa provinca lindore, sipas burimeve të sigurisë.

Eskalimi vjen një ditë pasi administrata e përkohshme talibane në Afganistan akuzoi ushtrinë pakistaneze për shkelje të hapësirës ajrore mbi kryeqytetin Kabul dhe për bombardimin e një tregu në rajonin Margha të provincës Paktika, që kufizohet me Pakistanin, të enjten në mbrëmje.

Islamabadi  as e ka konfirmuar, as mohuar se qëndron pas sulmit, por ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur qytetarët e vet, pasi Pakistani po përballet me një rritje të terrorizmit, për të cilin fajëson organizatën e ndaluar Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP).

Lidhur me zhvillimet e fundit përgjatë kufirit me Afganistanin, burime të sigurisë pakistaneze i thanë agjencisë Anadolu se shkëmbimi i zjarrit të rëndë po ndodh përgjatë kufirit që nga mbrëmja e së shtunës.

“Përleshjet përgjatë provincave lindore kufitare, përfshirë Khost, Nangarhar, Paktika, Paktia, Kunar dhe Khost, po vazhdojnë dhe ka raportime për disa viktima, por aktualisht nuk mund të konfirmojmë numrat”, tha një zyrtar i sigurisë, duke akuzuar forcat kufitare afgane për nisjen e të shtënave.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes së përkohshme afgane, Kabuli ka nisur sulme “si përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore afgane dhe sulmeve ajrore të kryera nga ushtria pakistaneze në territorin afgan.”

Ministria tha në një deklaratë të shkurtër se forcat afgane “kanë kryer operacione të suksesshme hakmarrëse duke goditur postet e sigurisë pakistaneze përgjatë vijës Durand. Këto operacione përfunduan në mesnatë (sipas kohës lokale)”.

Shumë video në rrjetet sociale tregojnë zjarr të rëndë artilerie në kufi. Lokacioni i saktë i pamjeve nuk është bërë ende i ditur.

Shkelje e qartë

Pakistani pretendon se terroristët e TTP-së janë të strehuar në Afganistan dhe akuzon Kabulin se nuk ka arritur të parandalojë terroristët e TTP-së që të kryejnë sulme në Pakistan.

Afganistani, megjithatë, i mohon këto akuza, duke përsëritur përkushtimin e tij për të mos lejuar përdorimin e territorit të vet për sulme kundër fqinjëve.

Ministri i Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi, dënoi ashpër “të shtënat e paprovokuara” të Afganistanit në territorin pakistanez.

“Të shtënat e forcave afgane ndaj popullsisë civile janë shkelje e qartë e ligjeve ndërkombëtare”, tha Naqvi, sipas një deklarate të ministrisë në X.

“Afganistani po luan me zjarr dhe gjak, dhe fijet e kësaj loje janë të lidhura me armikun tonë të përjetshëm. Populli i Pakistanit qëndron si një mur prej hekuri përkrah forcave tona të armatosura. Afganistani do të marrë një përgjigje të përshtatshme, ashtu si India, që të mos guxojë ta shikojë Pakistanin me sy të keq”, shtoi Naqvi.

Tensionet më të fundit përkojnë me vizitën në Indi të ministrit të përkohshëm të Jashtëm afgan, Mawlawi Amir Khan Muttaqi, ku ai u takua me homologun e tij indian, S. Jaishankar, si dhe mori pjesë në aktivitete të organizuara nga Vivekananda International Foundation dhe medreseja islame Darul Uloom Deoband në Uttar Pradesh, pranë kryeqytetit Nju Delhi.

Muttaqi dhe Jaishankar publikuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët, në të cilën ky i fundit shprehu “mirënjohjen e thellë ndaj Afganistanit për dënimin e fortë” të sulmit në Pahalgam në prill të këtij viti, në pjesën indiane të Kashmirit.

Sulmi la pas 26 të vrarë dhe shkaktoi përleshje katërditore midis Indisë dhe Pakistanit.

Megjithatë, Islambadi të shtunën shprehu “rezerva të forta” lidhur me deklaratën.

“Referenca ndaj Jammu dhe Kashmir si pjesë e Indisë është shkelje e qartë e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e statusit ligjor të Jammu dhe Kashmir”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Eksploro
Pllaka “Departamenti i Luftës” vendoset në hyrjen e Pentagonit në ShBA
Australia planifikon t'i detyrojë platformat si Meta dhe Google ta financojnë gazetarinë vendase
Aktivistët ngjiten në Portën e Brandenburgut, protestojnë qëndrimin e Gjermanisë ndaj luftës në Gaza
Rutte: NATO-ja reagoi shpejt dhe me vendosmëri ndaj "shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia"
Gjyqi i apelit për ish-presidentin francez Sarkozy caktohet për 16 mars
Aktivistja britanike po ecë për 6.5 muaj për të mbledhur ndihmë për palestinezët
Sulme të reja izraelite në Libanin jugor, shkelje e armëpushimit të nëntorit
Kryediplomati amerikan: Duhet të ndalet mbështetja me armë për RSF-në në Sudan
Shpërthen vullkani Kilauea në Hawaii mes aktivitetit në rritje
Mbi 400 familje ikin nga El-Fasheri, konflikti përshkallëzohet në Darfur të Sudanit
Zelenskyy takim onlajn me senatorët amerikanë, kërkon presion më të madh ndaj Rusisë
Trump nënshkruan ligjin e financimit, përfundon mbyllja 43-ditore e qeverisë amerikane
BE-ja mobilizon 2 miliardë euro për ndërtimin e korridorit që lidh Zambinë, Angolën dhe Kongon
Trump i kërkon homologut izraelit falje për Netanyahun i cili gjykohet për korrupsion
Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet në Istanbul me Ukrainën
Raporti i OKB-së paralajmëron për thellimin e krizës së urisë në 16 vatra globale
Ukraina pezullon ministrin e Drejtësisë për shkak të hetimeve për korrupsion
Policia ndërhyn në protestat kundër fjalimit të ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes në ShBA
BE-ja thotë se 6 shtete anëtare mund të kërkojnë përjashtim nga pakti për migracionin
Trump planifikon të dërgojë Patrullën Kufitare në dy qytete, sipas New York Times