Përleshje të ashpra kanë shpërthyer midis Afganistanit dhe Pakistanit, teksa të dy ushtritë kanë shkëmbyer artileri ndërkufitare dhe zjarr intensiv në disa provinca lindore, sipas burimeve të sigurisë.
Eskalimi vjen një ditë pasi administrata e përkohshme talibane në Afganistan akuzoi ushtrinë pakistaneze për shkelje të hapësirës ajrore mbi kryeqytetin Kabul dhe për bombardimin e një tregu në rajonin Margha të provincës Paktika, që kufizohet me Pakistanin, të enjten në mbrëmje.
Islamabadi as e ka konfirmuar, as mohuar se qëndron pas sulmit, por ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur qytetarët e vet, pasi Pakistani po përballet me një rritje të terrorizmit, për të cilin fajëson organizatën e ndaluar Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP).
Lidhur me zhvillimet e fundit përgjatë kufirit me Afganistanin, burime të sigurisë pakistaneze i thanë agjencisë Anadolu se shkëmbimi i zjarrit të rëndë po ndodh përgjatë kufirit që nga mbrëmja e së shtunës.
“Përleshjet përgjatë provincave lindore kufitare, përfshirë Khost, Nangarhar, Paktika, Paktia, Kunar dhe Khost, po vazhdojnë dhe ka raportime për disa viktima, por aktualisht nuk mund të konfirmojmë numrat”, tha një zyrtar i sigurisë, duke akuzuar forcat kufitare afgane për nisjen e të shtënave.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes së përkohshme afgane, Kabuli ka nisur sulme “si përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore afgane dhe sulmeve ajrore të kryera nga ushtria pakistaneze në territorin afgan.”
Ministria tha në një deklaratë të shkurtër se forcat afgane “kanë kryer operacione të suksesshme hakmarrëse duke goditur postet e sigurisë pakistaneze përgjatë vijës Durand. Këto operacione përfunduan në mesnatë (sipas kohës lokale)”.
Shumë video në rrjetet sociale tregojnë zjarr të rëndë artilerie në kufi. Lokacioni i saktë i pamjeve nuk është bërë ende i ditur.
Shkelje e qartë
Pakistani pretendon se terroristët e TTP-së janë të strehuar në Afganistan dhe akuzon Kabulin se nuk ka arritur të parandalojë terroristët e TTP-së që të kryejnë sulme në Pakistan.
Afganistani, megjithatë, i mohon këto akuza, duke përsëritur përkushtimin e tij për të mos lejuar përdorimin e territorit të vet për sulme kundër fqinjëve.
Ministri i Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi, dënoi ashpër “të shtënat e paprovokuara” të Afganistanit në territorin pakistanez.
“Të shtënat e forcave afgane ndaj popullsisë civile janë shkelje e qartë e ligjeve ndërkombëtare”, tha Naqvi, sipas një deklarate të ministrisë në X.
“Afganistani po luan me zjarr dhe gjak, dhe fijet e kësaj loje janë të lidhura me armikun tonë të përjetshëm. Populli i Pakistanit qëndron si një mur prej hekuri përkrah forcave tona të armatosura. Afganistani do të marrë një përgjigje të përshtatshme, ashtu si India, që të mos guxojë ta shikojë Pakistanin me sy të keq”, shtoi Naqvi.
Tensionet më të fundit përkojnë me vizitën në Indi të ministrit të përkohshëm të Jashtëm afgan, Mawlawi Amir Khan Muttaqi, ku ai u takua me homologun e tij indian, S. Jaishankar, si dhe mori pjesë në aktivitete të organizuara nga Vivekananda International Foundation dhe medreseja islame Darul Uloom Deoband në Uttar Pradesh, pranë kryeqytetit Nju Delhi.
Muttaqi dhe Jaishankar publikuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët, në të cilën ky i fundit shprehu “mirënjohjen e thellë ndaj Afganistanit për dënimin e fortë” të sulmit në Pahalgam në prill të këtij viti, në pjesën indiane të Kashmirit.
Sulmi la pas 26 të vrarë dhe shkaktoi përleshje katërditore midis Indisë dhe Pakistanit.
Megjithatë, Islambadi të shtunën shprehu “rezerva të forta” lidhur me deklaratën.
“Referenca ndaj Jammu dhe Kashmir si pjesë e Indisë është shkelje e qartë e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e statusit ligjor të Jammu dhe Kashmir”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.























