| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
ShBA-ja sekuestron cisternën e 5-të në goditjen ndaj dërgesave të naftës nga Venezuela
Cisterna "Olina" e sanksionuar më parë për transportimin e naftës ruse, u sekuestrua mes përpjekjeve të ShBA-së për të frenuar operacionet e "flotës së errët" dhe për të ushtruar presion ndaj Karakasit.
ShBA-ja sekuestron cisternën e 5-të në goditjen ndaj dërgesave të naftës nga Venezuela
ShBA-ja sekuestron cisternën e 5-të në goditjen ndaj dërgesave të naftës nga Venezuela / AA
9 Janar 2026

Roja Bregdetare e ShBA-së sekuestroi cisternën e pestë me naftë, teksa Washingtoni intensifikoi përpjekjet për zbatimin e sanksioneve ndaj dërgesave të naftës nga Venezuela, sipas një raporti të "Wall Street Journal".

Raporti tha se cisterna, e identifikuar si "Olina" dhe e njohur më parë si "Minerva M", ishte sanksionuar më herët nga ShBA-ja për transportimin e naftës ruse.

Ky veprim pritet të rrisë tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës, vetëm disa ditë pasi ShBA-ja sekuestroi një anije që pretendonte mbrojtje ruse dhe ishte nën eskortën e Marinës Ruse.

Administrata e Trumpit po i përdor sekuestrimet si mjet për të ushtruar presion ndaj qeverisë së përkohshme të Venezuelës dhe për të nxjerrë jashtë loje të ashtuquajturën "flotë e errët" të cisternave.

E njohur si flota hije, ajo përbëhet nga rreth 1.000 anije që përdorin praktika mashtruese për të fshehur përfshirjen e tyre në transportin e naftës së sanksionuar dhe të paligjshme.

Rreth 70 për qind e eksporteve të naftës së Venezuelës varen nga anije të sanksionuara për t’i anashkaluar kufizimet e SHBA-së ndërsa këto veprime synojnë të ushtrojnë presion ndaj Karakasit dhe ta paralajmërojnë Rusinë, Kinën dhe Iranin kundër sfidimit të sanksioneve amerikane ose rreshtimit me Venezuelën.