| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëra prezanton nismën për ndryshimet ligjore mbi mospezullimin e ministrave dhe zyrtarëve
"Në momentin kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, pezullohet puna e një institucioni", tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Shqipëra prezanton nismën për ndryshimet ligjore mbi mospezullimin e ministrave dhe zyrtarëve
Shqipëra prezanton nismën për ndryshimet ligjore mbi mospezullimin e ministrave dhe zyrtarëve / AA
3 orë më parë

Në Shqipëri është prezantuar sot nisma që lidhet me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për pjesën që nuk e lejon pezullimin nga detyra për disa kategori zyrtarësh.

Nisma vjen pas rastit dhe çështjes ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndaj së cilës Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën e pezullimit nga gjykata.

Nisma në fjalë u prezantua sot në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen në fjalë, duke iu referuar edhe posteve ministrore, Rama u shpreh se pezullimi nuk cenon personin, i cili prezumohet që është në një proces hetimi, por sipas tij pezullimi cenon funksionin.

"Në momentin kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, pezullohet puna e një institucioni. Nisma thjesht dhe vetëm adreson një, juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më, nuk duhet t’i shkojë më në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe me verbërinë e gjykatësit që i shkon prokurorit nga mbrapa pa arsyetuar të marrë peng një funksion kushtetues", tha Rama.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në Kuvendin e Shqipërisë dhe deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja, prezantoi nismën ligjore të grupit parlamentar të PS-së për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas tij, në ndryshimet që propozohen shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet si masë pezullimi i ushtrimit të funksionit, si për presidentin e Republikës, Avokatin e Popullit, kryeministrin, zv.kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndryshimet ligjore duhet të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë pas diskutimeve dhe shqyrtimit në komisionet parlamentare.

Çështja ndaj Ballukut

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku, dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën "ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Çështja shkatoi reagime dhe u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GjKKO-së.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj saj.

Më 6 shkurt Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për pezullimin ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe të Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë